Astrit Rrahmani ose siç e njohin të gjithë ndryshe si Tuti, padyshim që njihet në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë si kryetifozi kuqeblu. Kontributi i tij në ndjekje dhe në mbështetje të Vllaznisë ka qenë pothuajse gjithmonë maksimal dhe padyshim që, tashmë është tepër i shqetësuar dhe i irrituar për situatën aktuale që po kalon ekipi i tij i zemrës.

I ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, Tuti u shpreh se është i turpëruar nga humbja e fundit e Vllaznisë, ndërsa theksoi se presidenti Alban Xhaferi e ka futur ekipin kuqeblu në librin Guiness për rekorde negative. Poashtu, Tut Rrahmani tha se e shqetëson së tepërmi indiferenca e futbollistëve të Vllaznisë në fushën e lojës, ndërsa shtoi se lojtarët e ekipit kuqeblu janë pa gjak dhe pa zemër kur luajnë.

“Jam shumë i turpëruar nga Vllaznia. Për mua si tifoz dhe për të gjithë Shkodrën, humbja ndaj Egnatias është një turpërim. Kush e mban mbi shpatulla një gjë të tillë, unë nuk e di. Për mua është një turp i madh.

Egnatia dhe Rrogozhina e kanë të paktën një stacion treni, por ne na ka rrahur edhe Labëria, që nuk njihet askund në botë. Presidenti Alban Xhaferi na ka futur në libër Guiness për rekorde negative.

Kur Tut Rrahmani ka kritikuar, Tutin nuk e kanë dashur. Te Vllaznia nuk kundërshton askush, nuk shkon kush të kapë arbitrin në fyt. Kjo është indiferenca që shkodranët janë duke e parë në fushë. Nuk kemi ekip me gjak dhe me zemër. Ata futbollistë nuk po e përfaqësojnë siç duhet as Shkodrën as fanellën.

U bëj thirrje tifozëve mos shani më emrin Vllaznia. Kur të doni për të sharë, shani futbollistët dhe drejtuesit, jo Vllazninë, sepse Vllaznia është emër që ka 104-vite mbi shpinë. Nuk ka faj emri i Vllaznisë, por kanë faj drejtuesit dhe presidenti Alban Xhaferi, duke filluar nga ky i fundit dhe duke mbaruar tek më i fundit.

Problemin duhet ta gjejmë në thelb. A ka analizë, a bën kush analizë? A ka ndonjë sqarim për këtë popull futbolldashës? Kastrioti na ka rrahur edhe në Shkodër. Duhet ta gjejmë pse na mposhti.

Në Kukës 90-minuta nuk e kanë kaluar mesin e fushës. Kukësi na shënoi dy gola, por rrisku jonë që ishin offside. Ky ekip luan një ndeshje, pastaj nuk luan tre-katër ndeshje. Kjo ka një domethënie të brendshme dhe të thellë fort, që vetëm një president siç është në këtë rast Alban Xhaferi, mund ta sqarojnë këtë punë, vetëm presidenti.

Në Laç ishte turpi më i madh. Ky ekip nuk luan dy ndeshje njësoj. Kjo punë e ka një domethënie. Presidentin Alban Xhaferi unë e rrespektoj, nuk kam asgjë me të, por ai është zoti i Shkodrës dhe i Vllaznisë sot. I them zotit president që ka marrë një fanellë që peshon 200-kg.

Ata janë futbollistë mercenarë dhe pa gjak, futbollistë pa shpirt dhe pa sedër. Kush janë ata që tallen me një milet. Megjithatë, unë them që problemi është vetëm tek koka dhe tek presidenti Alban Xhaferi.

Ai duhet të na japë neve llogari se pse është Vllaznia në këtë gjendje. Aty çalon puna tek një diçka që vetëm presidenti Alban Xhaferi e di, askush tjetër në botë”-mbylli prononcimin e tij, tifozi i Vllaznisë, Tut Rrahmani.
Maringlen ZHIVANI