Vokli Laroshi është pranë zyrtarizimit në Superligën e Kosovës.

Burime të besueshme të “Panorama Sport”, tregojnë se gjatë këtyre ditëve ka pasur interesime nga klubet kosovare për të marrë shërbimet e portierit të Shpresave.

Laroshi u largua nga Partizani këtë merkato vere, për shkak të mungesave të hapësirave dhe duket se tani do të nisë një tjetër aventurë për të, ku sigurisht pritet të mbajë një rol titullari.

Ekipi i interesuar dhe që kanë avancuar bisedimet nuk bëhet ende i ditur, por bëhet fjalë për një skuadër që ka pretendime në Kosovë.

Për shkak të negociatave, gjithçka është “top sekret” për momentin, në një kohë që në orët e ardhshme do të ketë zhvillime.

PISTAT NGA SHQIPËRIA

Edhe pse Laroshi është shumë pranë marrëveshjes me një ekip kosovar, sërish vijon të mbetet e hapur deri në fund edhe pista për aventurën në një ekip shqiptar.

Dy skuadra nga elita shqiptare kanë shfaqur interes, ndërkohë që thuajse në bllok ekipet e Kategorisë së Parë, kanë kërkuar që ta kenë në gjirin e tyre.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të vijojë karriera e 21-vjeçarit, për të cilin kanë vërshuar ofertat pas largimit nga “demat” e kuq në muajin korrik.

KARRIERA E PORTIERIT

Kulmin e karrierës së tij Laroshi e arriti sezonin e kaluar, kur firmosi për tri vite me Partizani. Cërrikasi shihej si një lojtar i perspektivës te të kuqtë, por mungesa e hapësirave, bëri që të kërkonte largimin.

Më herët, ai ka qenë pjesë e Kategorisë së Parë me ekipin e qytetit të tij, Turbinën, ku ka dhënë një kontribut për dy sezone që skuadra të arrinte mbijetesën.

Madje pa mbushur 19 vjeç, ai ka qenë edhe kapiten i skuadrës cërrikase.

Paraqitjet e tij pozitive ranë në sy edhe të trajnerit të Shpresave, Alban Bushi, i cili e grumbulloi dhe i dha mundësinë të tregonte vlerat në katërkëndësh.

Qyteti i Cërrikut ka vazhduar traditën e prodhimit të portierëve, e për më tepër që kanë edhe lidhje me Partizanin.

Pas Alban Hoxhës, tashmë talenti që pritet të ndjekë gjurmët e tij është pikërisht Laroshi, i cili shihet me një të ardhme të ndritur në portë.