Alsid Tafili ka qenë një ndër ata futbollistë që ka spikatur me fanellën e Vllaznisë në dekadën e fundit. Mesfushori energjik që tashmë është pjesë e Tërbunit, ka qenë një nga protagonistët e kësaj merkatoje verore. Edhe pse aktiv në futbollin e luajtur, tashmë ai ka marrë edhe rolin e menaxherit, ku ka bërë disa lëvizje të bujshme gjatë kësaj vere.

Në bashkëpunim me Dionis Derdovski, Tafili ka bërë të mundur transferimet e futbollistëve të njohur në ekipe të ndryshme. Një nga më të rëndësishmit ka qenë Esat Mala, ku me anë të negociatave të zhvilluara nga ish-futbollisti i Vllaznisë, u bë i mundur transferimi i prizrenasit në rradhët e kuqebluve. Por nuk duhet lënë pa përmendur as Renato Malota që kaloi tek Egnatia para pak ditësh.

Alsid Tafili së bashku me bashkëpunëtorin e tij deri në këto momente kanë realizuar 13 transferime. Lëvizje këto që kanë ardhur në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, por edhe Turqi dhe Azerbajxhan. Në 6 muajt e fundit ata kanë hyrë fuqishëm në tregun e lëvizjeve të futbollistëve dhe pavarësisht se janë të “rinj” në këtë biznes, ata kanë pasur një sukses shumë të madh.

Sipas informacioneve të “Shkodra Sport”, lëvizjet në merkato të zhvilluara nga Tafili do ishin akoma më të mëdha. Por 4-5 futbollistë kanë ndërruar destinacionet ose nuk i janë përmbajtur marrëveshjes, duke ikur kështu nga klubet që i janë propozuar. Disa nga emrat e tjerë të rëndësishëm përveç Males dhe Malotes janë edhe: Edwin që së fundmi kaloi tek Kukësi.

Apo edhe Vucaj, Nothan Oduwa, Richard Friday, Ercan Sirin e shumë të tjerë. Tafili po bashkëpunon shumë edhe me lojtarët jashtë vendit dhe duket se roli i menaxherit po i shkon suksesshëm. Tashmë për shkodranin duket e qartë rruga që do ndjekë kur të largohet nga futbolli i luajtur. Ku pavarësisht ai do jetë gjithmonë pjesë e botës së futbollit.

Endri ÇINARI