Komisioni Disiplinor I UEFA-s ka marrë vendim për të ndëshkuar ekipin e futbollit të femrave të PAOK-ut të Selanikut me një vit pezullim nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare dhe po ashtu edhe me një gjobë të konsiderueshme. Vendimi është marrë pasi është vërtetuar se kjo skuadër në ndeshjet e vlefshme për Ligën e Kampioneve të Europës, ka aktivizuar një futbolliste të pafederuar.

Ankesa e ekipit të Vllaznisë në këtë mënyrë ka rezultuar e drejtë por për çudi shkodranet nuk kanë përfituar nga ky dënim sepse PAOK është lejuar të luajë edhe në turin e dytë të këtij kompeticioni sepse marrja e vendimit nga komisioni përkatës I institucionit të futbollit europian ka zgjatur përtej afateve të përcakuara në raste të tilla duke I dhënë mundësinë ekipit grek të vazhdonte pjesmarrjen e tij edhe në turin e dytë të këtij kompeticioni. Shkelja e bërë nga PAOK në fakt është shumë e rëndë sepse një lojtare e pafederuar ka luajtur me emrin e një lojtareje tjetër. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e parë ndaj ekipit luksemburgas Betembourg ndërkohë që në ndeshjen e dytë, pas ankesës së bërë nga drejtuesit e Vllaznisë, futbollistja në fjalë nuk ka luajtur por ka qenë e rregjistruar në protokoll si zëvendësuese. Normalisht që të dyja këto takime, Komisioni I Disiplinës duhej t’ia kishte humbur PAOK-ut dhe nëse do të ndodhte kështu, atëherë Vllaznia do të renditej e para në grup dhe do të kalonte ajo në turin e dytë të Ligës së Kampioneve. Kjo gjë nuk ndodhi sepse vendimi është shtyrë deri para 2-3 ditësh dhe pas shumë verifikimesh të bëra, është dalë në konkluzionin se veprimi I bërë nga kampionia greke ka qenë I rëndë dhe për këtë arsye, PAOK është pezulluar me një vit pjesmarrje në kompeticionet europiane dhe me një gjobë të konsiderueshme.

© shkodrasport.com