Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe  i disa ekipeve të tjera nëpër Botë, deri në Zelandën e Re, tashmë me licensën e FIFA-s si menaxher futbolli, Uliks Kotrri, së fundmi duket se ka marrë përsipër për të menaxhuar dhe ekipin e Tërbunit të Pukës, në kategorinë e dytë. Është ai personi, që i qëndron pranë, kohët e fundit, presidentit të këtij ekipi Petrit Sylës, duke i sugjeruar dhe afruar futbollistë të ndryshëm nga Shqipëria dhe jashtë saj.

Është ai, pra Kotrri, që menaxhon gjithçka, sa i takon merkatos së lojtarëve tek skuadra pukjane. Ky bashkëpunim ka nisur që nga muaji tetor i vitit që shkoi, pra i 2011-ës, dhe vazhdon ende. Për herë të parë Tërbuni, në historinë e tij, do të ketë në radhët e veta, futbollistë nga Egjipti, e kjo si rezultat i menaxhimit të merkatos nga Kotrri. Jo vetëm kaq. Por ky i fundit, po bën merkaton edhe me lojtarë brenda vendit tonë. Madje presidentit Syla mësohet t’i ketë premtuar se do t’i afrojë edhe futbollistë nga Shkodra, e kryesisht nga Vllaznia, por kjo sa do të arrihet, mbetet për t’u parë?!…Gjithsesi deri tani bashkëpunimi mes Kotrrit dhe Sylës, duket fryt-dhënës, ( të paktën për derisa palët nuk ankohet për njëri-tjetrin). Megjithatë, nga sa mësohet, ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe në të ardhmen, kur ekipi i Tërbunit mendohet të ngjitet në Kategorinë e parë.

www.shkodrasport.com