Paraqitjet e bëra me skuadrën e Avellino-s kanë rënë në sy, ndaj edhe ofertat për Armando Vajushin.

Shkodrani ishte në huazim, pasi kartoni i tij zotërohet nga Pro Vercelli, skuadër që sezonin e ardhshëm do të luajë në Serie C.

Normalisht që skuadra italiane do kërkojë të përfitojë nga fakti që anësorin e tyre e duan disa ekipe.

Avellino është klubi i parë që ka shfaqur interesimin e saj për ta mbajtur Vajushin në ekip edhe për sezonin e ardhshëm.

Por skuadra që po këmbëngul më shumë dhe ka bërë hapa konkretë është Carpi.

Skuadra që do garojë në Serie B ka arritur të kontaktojë me menaxherin e sulmuesit anësor, sikurse edhe u bë me dije ditë më parë.

Në mediat italiane raportohet se tanimë ka mbetur vetëm që Carpi dhe Pro Vercelli të ulen dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për transferimin.

Vajushi ka edhe një vit kontratë dhe verën e ardhshme del lojtar i lirë. Normalisht nuk do të dëshironte të luante në Serie C këtë sezon, ndaj edhe pret të mësojë të ardhmen e tij.

Vajushi luan sezonin e katërt në Itali, teksa fillimisht kaloi nga bullgarët e Liteks Lovesh te Chievo, ku u grumbullua në disa ndeshje në Serie A, por pa mundur të debutojë.

Livorno ishte klubi tjetër më të cilin 26-vjeçari luajti për një sezon dhe më pas kaloi te Pro Vercelli.

Me këtë klub këtë sezon luajti 13 ndeshje (6 si titullar) dhe shënoi një gol. Në janar u huazua tek Avellino, ku numëron 9 ndeshje në total dhe gjashtë nga minuta e parë.

Në takimet e fundit ai luajti rregullisht, çka ka bërë që për të të ketë interesim nga disa klube, me Carpi-n një hap para të tjerëve. /EDS/