Futbollisti shkodran Armando Vajushi është habitur së tepërmi nga pritja që i kanë bërë bullgarët. Ai ndodhet vetëm prej pak ditësh atje pasi ka nënshkruar kontratën e re me ekipin e Liteksit megjithatë ka mbetur i mrekulluar nga pritja.Këtë e ka shprehur edhe në prononcimin e tij për gazetën online “shkodrasport.com” kur ka thënë:

“Të them të drejtën kam mbetur i mahnitur nga pritja që më është bërë.Më konsiderojnë si të isha lojtari i tyre më i mirë dhe kjo më ka vënë ndoshta edhe pak në siklet. Megjithatë nga ana tjetër, kjo gjë më bën edhe më të ndërgjegjshëm për t’ua shpërblyer sa më mirë në fushën e lojës”. Pritja e mirë që i kanë bërë drejtuesit e klubit, stafi drejtues por edhe tifozët e kësaj skuadre, e kanë ndihmuar Armandon të harronte dhe ta linte mënjanë mërzinë për largimin nga familja, nga Shkodra dhe Vllaznia. Për të, kjo nuk ka qenë e lehtë dhe duket edhe në fjalët e tij të mëposhtme: “E kam patur pak të vështirë këto ditë. Nuk jam mësuar të qëndroj larg familjes. Më mungon Shkodra, më mungon Vllaznia por këto mungesa mi kanë kompesuar këta të klubit dhe njerëzit e tjerë këtu në Bullgari që po më qëndrojnë shumë afër”. Armando Vajushi nga dita e djeshme ka nisë stërvitjen me ekipin e ri dhe trajner do ketë një emër të madh të futbollit bullgar Hristo Stoiçkov. Kjo është një kënaqësi më shumë për shkodranin që e shpreh edhe në fjalët e tij: “Të stërvitesh nga një emër si Stoiçkov është një kënaqësi më vete dhe kjo më motivojë më shumë për të luajtur edhe më mirë”. Objektivi I madh I Vajushit është të luajë me Liteksin dhe kjo skuadër të shërbejë si katapultë për një skuadër më të madhe. Ai nuk dëshiron të dështojë madje këtë fjalë e urren prandaj deklaron: “Unë nuk e kam ndër mend të kthehem më në Shqipëri siç mund të jenë kthyer shumë lojtarë të kampionatit tonë pas përvojave jashtë. Unë nuk jam një tip që dështoj dhe prandaj jam shumë I bindur që kam për t’ia dalë mbanë”.
www.shkodrasport.com