Skuadra e Veleçikut ka mbyllur sot përgatitjet për të udhëtuar drejt Gramshit, vend ku do të grumbullohet një ditë para ndeshjes me këta të fundit.

Kjo tregon edhe njëherë seriozitetin që ka ky klub, teksa kërkojnë që sa më parë të jetë e mundur, të sigurojnë ngjitjen në Kategorinë e Parë.

Koplikasit e drejtuar nga Haris Lika, do të kenë mungesat e tre lojtarëve. Pikërisht, të dy sulmuesve Ditmir Ujkaj dhe Arianit Zaraj, teksa nuk do të jetë i gatshëm as ish-mesfushori i Vllaznisë, Florind Bardulla. Të tre këta lojtarë janë të dëmtuar dhe kështu për pasojë kanë mbyllur edhe sezonin.

Ndeshja Gramshi-Veleçiku do të luhet ditën e nesërme, në fushën sportive të Gramshit, duke nisur nga ora 15:00 dhe padyshim koplikasit do të kërkojnë vetëm fitoren.
Maringlen ZHIVANI