Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së ka marrë dje disa vendime për javën e parë të Abissnet Superiore. Përgjithësisht kanë qenë ndeshje të qeta. Vetëm klubi i Kukësit është dënuar për sjelljen e tifozëve. Kujtojmë goditjen me shishe të Seferit, ish-sulmuesit të Tiranës, gjatë pjesë së dytë. Veprim ky që i ka kushtuar verilindorëve 100 mijë lekë të reja gjobë.

Klejdi Daci është ndëshkuar me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti, për gjestin antisportiv ndaj lojtarit të Tiranës, për të cilin u ndëshkua me të kuq nga arbitri Jorgji.

Në anën tjetër Partizani dhe Teuta janë paralajmëruar, që në rast përsëritje të mosvendosjes së stemës së Abissnet Superiore në fanellë, do jenë subjekt i masave disiplinore.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 24.08.2022:

KF Partizani, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së mos vendosjes së stemës së Abissnet Superiore, në mëngën e djathtë të fanellës së lojës, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

KF Teuta, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së mos vendosjes së stemës së Abissnet Superiore, në mëngën e djathtë të fanellës së lojës, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

FK Kukësi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, në bazë të neneve 65/1, 65/3/a dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

Lojtari i FK Kukësi, Klejdi Daci, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.