Nisur nga vendimet e djeshme të Komision it të Disiplinës, të parat për këtë sezon futbollistik, “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim për sezonin e kaluar, duke u bazuar në vendimet e këtij komisioni, të publikuara çdo javë në faqen e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ky vëzhgim është për Superioren dhe skuadrat që kanë marrë pjesë në sezonin 2021-2022, i cili ka përfunduar. Partizani është ai që renditet i pari si ekipi më i goditur nga Disiplina, duke paguar në total 18 milionë lekë ndaj shkeljeve që ka bërë brenda një sezoni.
Pas Partizanit vjen Teuta, e cila ka paguar 12 milionë dhe më pas Tirana me 11.5. Sakaq, Skënderbeu, Vllaznia, Egnatia dhe Laçi vazhdojnë renditjen, ndërkohë në fundin e tabelës janë Kukësi, Dinamo dhe Kastrioti, që janë ndëshkuar vetëm dy herë dhe krutanët një herë. Në total, masat ndëshkimore për të gjitha ekipet shkojnë në 64.7 milionë lekë të vjetër, një shumë e ulët në krahasim me pak vite më para, por duke qenë një vit ku u zhvilluan zgjedhjet për presidentin e FSHF-së, Disiplina nuk ka pasur një dorë të hekurt.
TRENDI I SHKELJEVE – Duke i hedhur një sy shkakut se përse Komisioni i Disiplinës ka ndëshkuar klubet e Superiores, do të shohim që pjesa më e madhe e masës ndëshkimore është sjellja e gabuar e tifozëve në shkallët e stadiumit, që ka pasur një gjobë prej 50 mijë lekësh, por në një pjesë të mirë të rasteve, sjellja e gabuar ka qenë edhe me hedhje të sendeve në fushë, çka ka sjellë një ndëshkim prej 100 mijë deri në 200 mijë lekësh të rinj, por ka pasur edhe disa ndeshje kur ekipet, përveç gjobës, janë detyruar që të dëmshpërblejnë brenda një afati të caktuar dëmet e shkaktuara në stadium.
Një mase e re ndëshkimore u has në sezonin e kaluar dhe ishte ajo kundrejt Teutës dhe Partizanit. Të dyja ekipet nuk pranuan që të vendosnin stemën e “Abissnet Superiore”- s në krahun e djathtë të uniformës dhe për këtë, pasi u paralajmëruan, u ndëshkuan nga Komisioni i Disiplinës me 50 mijë lekë të rinj dhe më pas me 100 mijë, pothuajse çdo javë, përveç periudhës 25 mars-27 prill 2022, ku për rreth një muaj, jo vetëm këto dy ekipe, por të gjitha klubet e Superiores nuk morën asnjë ndëshkim nga Disiplina.