Sokol Çikalleshi vazhdon të shënojë me rregullsi në Kupën e Turqisë. Edhe pse nuk ka arritur të jetë ende protagonist me fanellën e Goztepe në kampionatin turk, në Kupën e Turqisë ai është protagonist me golat e tij, në një turne i cili është kthyer në një nga të preferuarit që kur zbarkoi në këtë vend në vitin 2015.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ishte titullar sot në ndeshjen e parë të turit 1/16 të Kupës ku Goztepe vihej përballë Nazillispor dhe që në fillimin e ndeshjes rezultoi vendimtar. Në minutën e 12, pas një aksioni në krahun e djathtë, sulmuesi lëshoi një gjuajtje të fortë e cila u devijua nga portieri por ai nuk arriti ta ndalte dot dhe sfera përfundoi në rrjetë.

Ky gol, por edhe paraqitja e sulmuesit, u vlerësua nga tifozët e Goztepe të cilët e përshëndetën me duartrokitje në momentin e zëvendësimit, në minutën e 75-të, në ndeshjen që u mbyll 0-3. Ky ishte goli i dytë në Kupë në po aq ndeshje të luajtura në këtë turne në këtë sezon.

Në fakt, që kur ka mbërritur në Turqi, Çikalleshi ka arritur të shënojë në Kupë me rregullsi dhe tashmë regjistron 14 gola të realizuar në këtë turne. /vipsport/