Vllaznia luajti dje miqësoren e dytë të prag- sezonit, atë ndaj Tërbunit të cilën e fitoi 1-0 me golin e shënuar me 11-metërsh nga Latifi, por ky takim solli edhe një problem për dy prej lojtarëve të saj të cilët pësuan dëmtime.

I pari ishte kapiteni Erdenis Gurishta. Ka qenë gjysma e pjesës së parë, kur loja u ndërpre nga arbitri Myrtja për t’u dhënë mundësinë futbollistëve të të dy ekipeve për t’u freskuar me ujë dhe pikërisht atëherë, ai është parë të ulet në fushë.

Menjëherë pranë tij kanë shkuar mjeku Çoba dhe masazhatori Ferhati të cilët kanë konstatuar një problem muskular në pjesën e prapme të kofshës së tij.

Si rrjedhojë i kanë kërkuar të lërë fushën e lojës dhe kështu ka ndodhur teksa ai i ka lënë vendin Fangajt në fushë dhe ndërkohë i ka kaluar edhe shiritin e kapitenit Krymit.

Në pamje të parë nuk është dukur gjë serioze por “Shkodra Sport” mëson se ditën e sotme kapiteni i kuqebluve ka bërë edhe ekzaminimet përkatëse dhe mjekët i kanë rekomanduar 5 ditë pushim.

Kjo do të thotë se Gurishta nuk do të luajë në miqësoren e së dielës ndaj Tiranës, por shpresat janë të mëdha që ai të jetë në fushë javën e ardhshme për finalen e Superkupës ndaj Teutës.

Për të mësuar më shumë për momentin e dëmtimit të numrit 2 të kuqebluve, shikoni në linkun e mëposhtëm momentin e largimit të tij nga fusha e lojës: