Vllaznia mori një fitore të rëndësishme në shtëpi me shifrat 1-0 përballë Skënderbeut. Esin Hakaj ishte heroi i shkodranëve në sfidën ndaj korçarëve, pasi shënoi golin me vlerë trepikëshe dhe afroi edhe më shumë shkodranët me Europën.

Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, Hakaj dha opinionin e tij, teksa deklaroi se ishte një trepikësh i rëndësishëm, ndërsa u shpreh se është shumë i lumtur për golin e tij të parë me Vllazninë në këtë sezon futbollistik.

“Normal, i rëndësishëm ishte trepikëshi që ne morëm ndaj Skënderbeut, që të vazhdojmë me ndeshjet në vijim dhe të kapim objektivat. Domethënë, kjo është gjëja më e rëndësishme.

Shumë i lumtur normalisht për golin tim të parë me Vllazninë. E prisja që të vinte ky gol dhe faleminderit Zotit që erdhi në këtë moment.

Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme. Normalisht, çdo ndeshje është finale për ne, sepse pretendojmë Europën dhe shpresojmë që të vazhdojmë me ndeshjet tjera me fitore.

Të qetë nuk mund të them se jemi, por normalisht jemi afër objektivit. 1 pikë është diferenca, por do vazhdojmë të kërkojmë vetëm fitoren.

Normalisht që po, ndaj Dinamos do të jetë një ndeshje e vështirë. Ato pretendojnë të marrin trepikëshin, por edhe ne duam tre pikët. Do të jetë shumë e vështirë. Vllaznia në Europë përmes kampionatit? Besoj se po”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Vllaznisë, Esin Hakaj.
Maringlen ZHIVANI