Samuel Nikaj është padyshim një prej trajnerëve shkodranë më të përgatitur. Ish-futbollisti kampion me ekipin e Vllaznisë, në vitin 1998 dhe ish-trajner i kësaj skuadre, tregohet shumë kritik ndaj skuadrës shkodrane dhe funksionimit të tij. Ai nuk është aspak i kënaqur me Vllazninë dhe atë lojë që ajo po zhvillon.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Nikaj u shpreh se dalja në Europë ose fitimi i Kupës së Shqipërisë është një diçka pozitive nëse arrihet, ndërsa theksoi se Vllaznia në ndeshjen e rradhës ndaj Dinamos duhet të bëjë shumë kujdes, sepse i mbyturi të mbyt.

“Faktikisht, dje kam parë vetëm pjesën e dytë të ndeshjes Vllaznia-Skënderbeu. Gjatë pjesës së dytë, pashë një Vllazni pragmatiste, e cila e arriti golin dhe u mundua të administronte lojën, edhe pse Skënderbeu ishte me 10 lojtarë. Megjithatë, kjo është normale, kur vjen pas disa rezultateve jo pozitive.

Gjithsesi, them që kjo fitore i ka bërë mirë, ky trepikësh i Vllaznisë dhe shpresoj që edhe ndeshjet në vazhdim të jenë me fitore dhe të jenë aty afër objektivave, që ka klubi. Objektivave minimal duhet të themi, sepse objektivat maksimal në fillim kanë qenë për kampion. Gjithsesi, edhe dalja në Europë ose fitimi i Kupës së Shqipërisë, është një sezon i mirë mendoj.

Ndeshja me Dinamon në letër duket ndeshje e lehtë, sepse Dinamo praktikisht është e rënë prej kategorie. Megjithatë, kisha për të thënë se duhet për ta parë me seriozitet shumë, sepse këto lloj ekipesh, jo më kot është ajo shprehja: I mbyturi të mbyt.

Duhet të jenë shumë serioz gjatë 90-minutëshit dhe të marrin fitoren, sepse mundësitë janë. Ekipi është në gjendje edhe më të mirë, vjen edhe pas fitores. Kështu që, besoj dhe shpresoj që ndaj Dinamos, do të fitojnë Vllaznia.

Normalisht që, Vllaznia pretendonte për kampion dhe unë mendoj që stafi drejtues, drejtori Djarmati dhe klubi, me në krye presidentin Xhaferi, ishte dashur pak më herët për Brdariç, që ta shkarkonin ose më herët ose mos ta shkarkonin fare.

Ky ka qenë mendimi im personal, sepse në momentin kur u shkarkua nuk ishte momenti i duhur. Duhej të vazhdohej me të ose ta largonin pak më herët. Megjithatë, tani çfarë është bërë, ka kaluar. Mendoj që sezoni shpëtohet në qoftë se Vllaznia del në Kupat e Europës.

Finalja është finale. Historinë e ka Vllaznia, por realiteti është se Laçi është ekip, që ka mbledhur pikë më shumë se Vllaznia dhe për momentin, po t’i shohësh në letër, janë dy ekipe pak a shumë të njëjta për nga niveli, për nga cilësia e lojtarëve. Megjithatë, është një ndeshje teke. Specifika është pak ndryshe, sepse kampionati është ndryshe, Kupa është ndryshe.

Kur është edhe një ndeshje, prapë normalisht që, ka të bëjnë faktori psikologjik, që shkon te ajo ndeshje janë shumë arsye, por mendoj që Vllaznia i ka mundësitë për ta fituar Kupën. Ka lojtarë me eksperiencë dhe duhet të marrin përgjegjësi, edhe për ta fituar lojën, sepse normalisht është objektiv si Kupa është një ndër trofetë e vendit dhe normalisht është mirë për ta fituar. Shpresoj që të jenë një ndeshje fair-play dhe të fitojë Vllaznia, sepse është ekipi i zemrës dhe ekipi i qytetit tim dhe normalisht që ndihem mirë.

E ardhmja e Vllaznisë? Po të ishte në dorën time, normalisht që do të kisha proçeduar ndryshe, edhe këto dy vite që e ka pasur presidenti i ri, sepse ne normalisht kemi vuajtur që ta kemi një president, por mendoj që presidenti Xhaferi, ka bërë zgjedhjen e gabuar, për të pretenduar fill për të arritur trofe ose për të dalë kampion.

Ka bërë disa shpenzime them të panevojshme. Për mendimim tim, është dashur një projekt një fije më ndryshe. Për të afirmuar lojtarë të ri të Shkodrës dhe jo për të bërë blerje stratosferike dhe me shumicë, sepse Shkodra nuk është qytet i vogël dhe qytet që nuk e ka traditë futbollin, por është qyteti kryesor për sa i përket futbollit.

Mendoj që është dashur të punohet me lojtarët e ri të Vllaznisë. Për t’i afirmuar, për të bërë një bazë me lojtarë shkodranë. Nuk është se nuk ka në Shkodër lojtarë të mirë. Janë disa ekipe të moshave, që ka masivizim të jashtëzakonshëm dhe mundesh të gjesh lojtarë të mirë, me cilësi. Të punosh me ta, të qëndrosh në mes të tabelës dhe të furnizosh edhe tregun europian, edhe tregun vendor, edhe pastaj të jetë Vllaznia gjithmonë pretendente atëherë për titull, edhe atëherë për ta fituar titullin.

Titullin, jo për ta fituar një vit dhe për të pushuar, por për ta fituar tre-katër vjet rresht. Kjo është ajo që mendoj unë se duhet të proçedohet te Vllaznia në të ardhmen”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Vllaznisë, Samuel Nikaj.

Maringlen ZHIVANI