Shqipëria luajti kundër Moldavisë duke arritur të barazojë 1-1, pikë që i kualifikoi zyrtarisht në EURO 2024. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho mbërritën në aeroportin “Nënë Tereza” pas orës 1 të mëngjesit të sotëm. Duke qenë se pjesa më e madhe e ultrasve ishin ende në Moldavi, tifozë të tjerë kishin zgjedhur t’i prisnin si heronj në dalje e aeroportit.
I pari që shkeli jashtë ishte Jasir Asani. Por, mëngjërashi kuqezi ishte totalisht i hutuar dhe nuk e kishte aspak mendjen ndaj tifozëve. Edhe futbollistët e tjerë që pasuan pas tij po njësoj. Ndërsa ai që theu akullin ishte Mirlind Daku.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare vërejti menjëherë tifozët që ishin mbledhur aty dhe filloi: “Hajde, hajde ejjj”, ndërsa mori ovacionet e të pranishmeve. Menjëherë pas tij u shkëput Klaus Gjasula, i cili erdhi të përshëndetej me tifozët. Ndërkaq, u ndalën edhe drejtuesit, disa duke folur me mediet, ndërsa të tjerë duke u përshëndetur me tifozët.
Kujtojmë që Shqipëria do të luajë të hënën tjetër ndeshje, e fundit për këto kualifikuese të EURO 2024. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho do të tentojnë ta mbyllin me fitore duke shënuar një rekord historik sa i përket pikëve të grumbulluara në një kompeticion europian./newsport/