Megi Doçi, autorja e golit për Vllazninë, ishte një nga emrat më të rëndësishëm të ekipit shkodran në fushën e lojës, në barazimin 1-1 në ndeshjen e parë të raundit të 1/32 të finaleve të UEFA Women Champions League. Kjo ndeshje është luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, por në fakt konsiderohej si transfertë për ekipin shkodran edhe pse luajti në fushën e tij, pasi kështu është verdikti i shortit të hedhur.

Ndërkohë, vetë Doçi në një prononcim të dhënë për mediat, pas ndeshjes së sotme, është shprehur se ishte një ndeshje me emocione të mëdha, por nga ana tjetër theksoi se sfida e kthimit do të jetë shumë e rëndësishme që Vllaznia të marrë një rezultat sa më të mirë për të synuar kualifikimin.

“Në fakt, shumë emocione. Eshtë kënaqësi shënimi i golit, por duhet të përfundonte me fitimin e ndeshjes. Mendoj që bëmë një ndeshje të mirë. Ukrainasit janë ekip kampion dhe sigurisht edhe ata kërkojnë kualifikimin. Mendoj që kemi edhe një shans tjetër dhe sigurisht që objektivi jonë dihet, që është thënë dhe është kualifikimi.

Mendoj që kemi shumë shanse ndeshjen tjetër. I pamë edhe pikat e dobëta. Besoj shumë se stafi teknik do i gjejë pikat e dobëta dhe do shohim në vazhdimësi që të dimë ku të sulmojmë. Megjithatë, mendoj që ekipi ka pasur edhe disa mungesa, por mendoj që ndeshjen tjetër do të jenë të gatshme në fushën e lojës.

Tifozët shkodranë janë ata që jetojnë me sportin, jetojnë me futbollin dhe e duan shumë atë. Kështu që, unë do i falënderoja edhe ata që ishin të pranishëm sot dhe do i ftoja që edhe ndeshjen tjetër, të jenë edhe më shumë të pranishëm që edhe ne të bëjmë maksimumin dhe të kualifikohemi në ndeshjen tjetër.

Goli që shënuam në pjesën e parë, mendoj se ishte një gol i rregullt, por gjyqtarja na ndëshkoi disa herë dhe në shumë raste. Unë mendoj që kjo e uli disi atë ritmin e lojës, por sigurisht që shpresoj që në vazhdimësi, pasi të kthehen edhe mungesat, besoj se ekipi do të bëjë maksimumin dhe do të pretendojmë kualifikimin.

Kualifikimi? Unë besoj shumë, si te ekipi, si stafi teknik tek ne, si edhe te vetja. Shpresoj që në vazhdimësi të shohim ata gabimet tona dhe t’i korrigjojmë dhe të gjithë të japim maksimumin. Shpresoj që edhe tifozët të jenë më të shumtë në numër dhe të japim maksimumin që të kualifikohemi”,-mbylli prononcimin e saj, autorja e golit të Vllaznisë në barazimin e sotëm, Megi Doçi.
Maringlen ZHIVANI