Kristjan Asllanit iu desh të priste deri në mbrëmjen e së martës për të dhënë një nga provat e tij më të mira në mesfushën e Inzagit. Ndaj Parmës 20-vjeçari shfaqi një pjesë të mirë të potencialit të tij, edhe pse skuadra nuk ia lehtësoi punën duke u paraqitur në tërësi poshtë nivelit prej Interi.
Për t’iu rikthyer përsëri lojtarit të Kombëtares, performanca e tij e mirë në Kupë u vërtetua fare mirë nga statistikat, aty ku ajo që ra më shumë në sy ishte saktësia e pasimeve të tij. Në 141 prekje të topit, Kristjani arriti të lidhej me shokët e tij plot 113 herë duke e dërguar saktësinë e pasimeve në 96%, shifra më e lartë prej të gjithë lojtarëve të pranishëm në fushën e lojës.
Po sipas të dhënave të nxjerra nga “Sofa Score”, në pjesën e parë Asllani kishte 98% të pasimeve të tij të sakta, ndërkohë që topat e gjatë të tij gjetën pjesën tjetër të skuadrës në 83% të rasteve.
Asllani diti të ishte një ndër protagonistët e mbrëmjes dhe ndoshta këtë herë i ka vërtetuar Inzagit se është gati të marrë edhe më shumë përgjegjësi mbi supe.
Ditën e sotme faqja zyrtare e klubit italian, ka postuar një video me disa nga momentet më të mira të Kristjan Asllanit ndaj Parmës me mbishkrimin “Saktësi – Stili Kristjan Asllani”. Me performancën e tij të shkëlqyer, mesfushori kuqezi pritet të fitojë ndjeshëm terren, edhe për sa i përket ndeshjeve në kampionat. Për më tepër shikoni videon e postuar nga faqja zyrtare e Interit: