Tre boksierë të kombëtares shqiptare, të shoqëruar nga trajneri Lazarin Vila janë nisur sot drejt Budvas së Malit të Zi, për të marrë pjesë në Kampionatin Europian U22 që do të zhvillohet në shtetin fqinj nga datat 12-19 nëntor.

Bëhet fjalë për Arjol Zenelin që do të konkurrojë në peshën -57 kg, Flavio Metën që do të konkurrojë në peshën -75 kg dhe Geljan Rajku që do jetë në peshën 92 kg. Bashkë me trajnerin Vila ndërkohë do të jenë në ditët në vijim edhe trajnerët e tjerë të kombëtares tonë, Zef Gjoni dhe Jetmir Kuçi.

Trajneri Gjoni në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport” para nisjes u shpreh se ka besim tek të tre sportistët për t’iu afruar zonës së medaljeve, por është ndalur më së shumti tek boksieri Geljan Rajku i cili po gëzon një formë shumë të mirë sportive.

Edhe vetë boksierët në prononcimet e tyre u shprehën se dëshira dhe synimi i tyre është për t’u futur në zonën e medaljeve. Kujtojmë që dy vite më parë, boksieri vlonjat Arjol Zeneli po në Budva mori medalje të bronztë në Europianin U18, por tashmë ai synon të njëjtën gjë edhe në atë të U22.

Boksierët janë nisur sot drejt Malit të Zi dhe nesër do të jenë peshimet dhe hedhja e shortit, ndërsa ndeshjet e Kampionatit Europian do të fillojnë ditën e dielë.
Gjergj KOLA