Ditën e sotme, në Madrid, Vllaznia në futboll për femra do të luajë përballë kampiones së Spanjës, Realit të Madridit, në kuadër të UEFA Champions League. Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri Nikolin Leka gjatë konferencës për shtyp ka pranuar se niveli i kundërshtarit është shumë i lartë, por theksoi se Vllaznia nuk shkon për turizëm në Madrid.
Trajneri kuqeblu thotë se morali i vajzave shkodrane është shumë lart, teksa shtoi i gjithë grupi i futbollisteve shpreson që të dalë me një rezultat pozitiv nga fusha e lojës. Poashtu, Leka u shpreh se dihen diferencat ndërmjet ekipeve dhe nuk ka nevojë për shumë koment, por ai theksoi se gjithsesi Vllaznia do të bëjë futbollin e saj, teksa me pak fat mund të merret diçka.
“Padiskutim, atmosfera në prag të ndeshjes me Realin është shumë e mirë. Vajzat janë përgatitur gjithë këtë javë për këtë ndeshje dhe shpresojmë që të dalim me një rezultat pozitiv. E dimë që është shumë e vështirë. Diferencat ndërmjet ekipeve janë shumë të mëdha, por ne do bëjmë punën tonë. Do mundohemi të bëjmë punën tonë, të bëjmë futbollin tonë dhe normalisht, edhe me pak fat mund të arrijmë diçka.
Atëherë, në këtë ndeshje, mbi të gjitha është e nevojshme që vajzat të zbatojnë detyrat taktike që i kemi vendosur gjithë javën dhe ato vajza që do luajnë në formacion, duhet t’i zbatojnë detyrat dhe të eleminojmë sa më tepër gabimet e një jave më përpara. Kjo është e rëndësishme, pastaj çfarë të sjellin fusha e lojës.
Reali i Madridit edhe pse ka dalë nga objektivat, do bëjë lojën e vet, por thashë ne do mundohemi që atë disfavor që mund të kenë Reali me eleminimin në grupe, do mundohemi ta shfrytëzojmë ne diçka më tepër se ndeshjet tjera.
Padiskutim që, është objektivi jonë shënimi i një goli, por se sa do t’ia arrijmë, do ta shohim gjatë lojës. Normalisht që, kjo ndeshje ndryshon shumë nga ajo e para. Ne e kemi parë Realin në fushën e lojës, i dimë pikat e forta të saj. E thashë edhe më përpara, diferencat janë të mëdha mes ekipeve, por do mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme. Shënimi i një goli normalisht që do ishte diçka pozitive për vajzat.
Padiskutim, ne na kanë vlejtur shumë këto ndeshje për të fituar eksperiencën e duhur, që ta kemi për sezonin e ardhshëm dhe padiskutim që përveç fitimit të kampionatit shqiptar, ne do kërkojmë edhe vitin tjetër të vijmë këtu ku jemi”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë në futboll për femra, Nikolin Leka.
Maringlen ZHIVANI