Kontributi i tij në atletikën shkodrane dhe atë shqiptare është i jashtëzakonshëm.

Vildan Tufi i ka dhuruar këtij sporti me qindra rezultate të shkëlqyer, rekorde, medalje dhe triumfe.

Padyshim që ndjehet i kompletuar, megjithatë nuk ka ndër mend të ndalet në punën e tij ndonëse është plot 73 vjeç.

Pak ditë më parë bashkë me stafin e trajnerëve të rinj të Vllaznisë, i ka dhuruar këtij ekipi titullin e 18-të kampion (të 10-tin rradhazi).

Marashi, Rrotani, Serhati dhe Tafa janë trajnerë të rinj në moshë, kanë vetëm pak vite që bëjnë këtë detyrë dhe po e bëjnë mirë në fakt.

Por profesor Vili është aty prej shumë e shumë vitesh. Titullin e parë kampion si trajner e ka fituar në vitin 1993 me kolegë të tjerë si Gëzim Mema, Isak Bala, Rrok Hila, Syrri Hoti etj.

Sot, pas 25 vitesh vazhdon të punojë me të njëjtin pasion. Duke na dhuruar të tjerë kampionë.

“Zbulimi” i fundit i tij ka qenë Erisa Rrasa. Një vajzë e jashtëzakonshme e cila ndonëse vetëm 14 vjeçe, ka arritur të shpallet kampione e Shqipërisë me të rriturat në garën e kërcimit trehapësh.

Kjo sportiste premton shumë dhe profesor Tufi premton ta bëjë atë pasardhësen e të madhes Vera Bregu.

Por jo vetëm atë. Ai premton të bëjë gjëra të mira edhe në të ardhmen dhe prandaj në një prononcim për “Shkodra Sport” do të shprehej:

“Ju premtoj që vitin e ardhshëm në të njëjtën kohë me Ergys Gjeçajn dhe grupin e tjerë të kërcyesve, do të kemi rezultate konkurrente me Izmir Smajlajn.

Po ashtu, me Erisa Rrasën do të vazhdojmë të rrisim performancën e saj.

Ndjehem mjaft mirë duke punuar me një grup trajnerësh të rinj shumë të apasionuar dhe po ashtu edhe me një brez sportistësh me shumë të ardhme, të cilët po stërviten me shumë dëshirë për të lartësuar emrin e Vllaznisë edhe më tej.

Dhe kur shoh ato të stërviten me pasion, natyrisht që edhe mua më shtohet dëshira për t’u mësuar ato që duhet në mënyrë që atletika shkodrane të vazhdojë të dominojë jo vetëm në arenën kombëtare por pjestarët e saj të jenë baza e ekipeve kombëtare edhe në garat ndërkombëtare”.
© shkodrasport.com