Vllaznia pas tre javësh kampionat renditet e dyta në tabelën e klasifikimit dhe kuptohet që të gjithë e shohin si një nga pretendentet edhe të këtij sezoni. Këtë mendim kanë edhe pjestarët e saj, të cilët mendojnë se skuadra i ka mundësitë dhe kapacitet për të qenë një prej liderëve të kampionatit.

Por ndërkohë, Vioresin Sinani, legjenda e sulmit shkodran dhe atij shqiptar, që tashmë mban postin e zëvendëstrajnerit të Vllaznisë, duke folur në emisionin “Fair Play” është shprehur se kuqeblutë nuk do të jenë të vetmit në garën për titull, por ka rreshtuar edhe disa të tjerë dhe mendon se gara do të jetë e fortë deri në fund.

“Fitorja ndaj Tiranës ka krijuar një klimë shumë pozitive pasi të fitosh me këtë skuadër brenda në fushën e saj, nuk është diçka që ndodh shpesh për çdo ekip, sepse kemi të bëjmë edhe me ekipin kampion në fuqi. Kemi bërë një hap të gabuar në javën e parë, por e korigjuam në javën e dytë dhe të tretë duke fituar me dy ekipe shumë të forta si Kukësi dhe Tirana.

Këto dy ekipe unë i konsideroj si rivale dhe pretendente deri në fund, pavarësisht se Kukësi i ka bërë një nisje jo të mirë kampionatit, por unë e bashkë edhe atë si pretendente, bashkë edhe me Partizanin dhe Laçin. Këto skuadra do të rivalizojnë fort deri në fund për titullin kampion.

Këto 4-5 skuadra mendoj se do jenë pretendente por edhe ndeshjet me të tjerat nuk do jenë asnjëherë të lehta. Kampionatin e mendoj si një garë të fortë, asnjë ndeshje nuk fitohet kollaj. mund të fitosh me këdo por edhe mund të humbasësh me këdo.

Profesor Mireli ka ato idetë e tij dhe ekipet që ai drejton gjithmonë bëjnë futboll të bukur, futboll grintoz, lojë sulmuese dhe gradualisht javë pas jave besoj se Vllaznia do të fillojë të shënojë edhe më shumë. Do të shfaqet më shumë para portës kundërshtare ashtu siç bëmë në dy ndeshjet e fundit.

Normalisht që ka vend edhe për përmirësim por gradualisht mendoj se Vllaznia nga java në javë do të vijë duke u rritur dhe do të shkojë aty ku dëshiron profesori, ku e don gjithë ekipi, ku e don presidenca, ku e don gjithë qyteti i Shkodrës”- është shprehur Vioresin Sinani./SHKODRA-SPORT.COM/