Shqipëria e femrave u mposht me rezultatin 1-0 përballë Portugalisë në ndeshjen e dytë në Grupin E kualifikues për Europianin e 2021.

Trajneri i Kombëtares së Femrave, Vioresin Sinani, u shpreh i kënaqur nga loja e futbollisteve të tij në “Elbasan Arena”.

Në mikrofonin e “RTSH Sport” pas ndeshjes, shkodrani u shpreh vajzat e tij bënë një paraqitje mbi maksimalen, dhe nëse vazhdojnë të luajnë kështu do vijnë edhe rezultatet pozitive.

Skuadra më e vendosur në fushë, por bëjmë gabime në mbrojtje. Pak agresivë në sulm…

Jam i kënaqur nga loja, përtej rezultatit. Vajzat bënë maksimumin, ndoshta edhe mbi 100% të mundësive të tyre. Duke pasur parasysh Portugalinë përballë, besoj se bëmë më të mirën. Ndoshta mund të bënim diçka më shumë në sulm, por i përgëzoj vajzat.

Nuk mund të shihnim 2 sulmuese në fushë?

Ekipe të ndryshme lozin me 2 ose 3 sulmuese, por Portugalia është ekip i vështirë. Nuk kalojmë dot në aventurë. Sot besoj se u bë më e mira e mundshme.

Objektivi?

Objektivi është të luajmë si sot. Nëse luajmë si sot, ekipi është në rrugë të mbarë. Do vijnë edhe rezultatet.