Zv.trajneri i Vllaznisë, Vioresin Sinani ishte i ftuar mbrëmë në rubrikën sportive të Star Sport. Ish-sulmuesi u ndal tek ecuria pozitive e skuadrës në këto momente. Megjithatë ai nuk kalon në eufori, duke theksuar se ndeshjet do merren një e nga një. Po ashtu ai vlerëson performancën e disa futbollistëve të rinj, duke i cilësuar si të fituar dhe si një e ardhme e sigurtë e skuadrës.
Sinani tha: “Patjetër që fitoret shtojnë entuziasmin në çdo skuadër. E tillë ishte edhe kjo kundër Laçit, ku skuadra dominoi nga fillimi në fund duke merituar gjithçka. Ekipi po shprehet mirë dhe po zhvillon një futboll cilësor. Tashmë në këtë fillim të këtij viti, po gëzojmë një formë të shkëlqyer që uroj ta vijojmë.
Ka ndryshuar diçka tek Vllaznia ? Nuk mund ta them këtë, ndoshta ritmi apo motivimi. Por edhe nëse kemi lënë pikë në të shkuarën kanë ardhur si pasojë e disa episodeve. Skuadra në syrin tim nuk është se ka edhe aq ndryshime drastike.
Të rinjtë? Them se Alivoda, Smajli dhe Çoba janë tashmë 3 elementë të fituar. Besoj se janë të rëndësishëm për momentin. E ndoshta edhe për të ardhmen pasi edhe mund të shiten e të krijojnë buxhetin e duhur për klubin.
Bylis dhe Erzeni? Ne i marrim ndeshjet me rradhë dhe e rradhës do jetë në Ballsh. Ndeshje shumë e fortë dhe delikate, pasi në këtë kampionat nuk shoh ekipe të vogla apo ndeshje të lehta. Të kalojmë njëherë Bylis e më pas të mendojmë për Erzenin.
Endri ÇINARI
Pretendimet e Vllaznisë? Kur duan titullin ekipe si Partizani dhe Tirana , pse të mos pretendojmë edhe ne. Nuk shoh ndonjë diferencë mes nesh dhe atyre e besoj se do jemi deri në fund. Pavarësisht siç e theksova ne mendojmë nga ndeshja në ndeshje, por patjetër që ambiciet janë maksimale duke parë edhe cilësitë që kemi”.