Stadiumi, ëndërra e shumë shkodranëve që solli shumë zhurmë
Viti që lamë pas, për Shkodrën ka dhuruar një eveniment shumë të rëndësishëm: Ndërtimin e plotë të stadiumit “Loro Boriçi”. Investimi I Qeverisë shqiptare dhe I Federatës Shqiptare të Futbollit, pas shumë zhurme e polemikash, më në fund u mbyll. Ky impiant sportiv u inagurua në fundin e muajit gusht por, ashtu si dhe më përpara, ky inagurim u shoqërua me një debat të ashpër në mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakes Ademi.


Shkaku, prishja e shtëpive rreth e qark stadiumit për të bërë të mundur parkingun e tij. Një debat që do të vazhdohej më pas edhe në distancë mes tyre, aq sa, pikërisht për shkak të kësaj çështje, Shkodra u diskriminua nga Qeveria me fonde. Por duket se “mallkimi” I këtij stadiumi do të vazhdonte më tej. Më 5 shtator në “Loro Boriçi” do të luhej ndeshja e parë kualifikuese e Botërorit të ardhshëm, ajo në mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Një takim që do të ndërpritej në fillimin e pjesës së dytë për shkak të stuhisë që mbërtheu qytetin e Shkodrës. Delegati I UEFA-s vendosi që pjesa e mbetur e tij të luhej të nesërmen dhe ato 30 minuta do t’I mjaftonin shkodranin Bekim Balaj të shënonte golin e fitores duke I dhënë fitoren 2-1 Shqipërisë. Po në këtë stadium, në tetor do të luante edhe Kosova me Kroacinë si dhe Shqipëria me Spanjën. Vetëm kaq sepse më pas, për një muaj ky stadium do të mbyllej për shkak të gjendjes së keqe të tapetit të tij. Ndërhyrja në të është e domosdoshme dhe ndërkohë, Vllaznia spostohet për t’I luajtur ndeshjet e saj në “Reshit Rusi”. Gjithçka u bë që “Loro Boriçi” të ishte gati për ndeshjen e nëntorit Shqipëri- Izrael, por krejt papritur pak ditë përpara saj, përhapet lajmi se në Shkodër janë planifikuar akte terroriste dhe për këtë arsye FSHF e spostoi ndeshjen në Elbasan. Shkodranët kësisoj sërish mbeten me “gisht në gojë” duke mos patur mundësinë që t’I gëzohen sërish këtij impianti të ri sportiv që nisi ndërtimin mes shumë polemikash dhe vazhdon madje sërish, teksa Bashkia Shkodër nuk e merr në dorëzim përderisa investimi nuk ka përfunduar I gjithi. Se çfarë do të ndodhë me të, duhet pritur viti 2017.
Futbolli, Vllaznia në vend-numëro
Sporti më I ndjekur, ai I futbollit, nuk ka dhuruar shumë emocione për tifozët shkodranë në këtë vit. Ai në fakt filloi me lajme të mira. Ardhja e drejtuesve të rinj në krye të klubit dhe veçanërisht ulja e Armando Cungut në pankinë, ishin sinjalet e një kthese të kësaj skuadre. Dhe në fakt kështu ndodhi. Rezultatet e ekipit ishin më të mira se vitin e mëparshëm dhe Vllaznia e mbylli kampionatin në vendin e gjashtë, duke mos qenë aspak e rrezikuar nga rënia prej kategorisë. Analiza e bërë në fund të sezonit, të jepte shpresë se sezoni I ri do të ishte disi më ndryshe. Dhe në fakt, lëvizjet e para të bëra ishin positive. Ardhja e lojtarëve të tillë si Bicaj, Hoxha, Gocaj, Vaitzer e Pepës, krijonin përshtypjen se ecuria do të ishte më e mirë. Dhe kampionati I ri në fakt nis mirë por çuditërisht, në momente të caktuara, skuadra lë shumë për të dëshiruar dhe sidomos në dy ndeshjet e humbura Brenda në Shkodër me Laçin dhe Luftëtarin, të krijohet përshtypja se problemet e sezoneve të mëparshme do përsëriten sërish. Skuadra shkodrane e ka mbyllur gjysmën e parë të kampionatit në vendin e gjashtë sërish në kampionat ndërkohë që në Kupë është në tetëshe dhe mund të bëjë më mirë por duhet pritur realisht se çfarë do të ndodhë në vitin që vjen.
Atletika, Izmir Smajlaj “qershia mbi tortë”
Izmir Smajlaj është “mbreti” i atletikës shkodrane për këtë vit. Ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Rio de Zhaneiros por jo vetëm kaq. Në Kampionatin Europian të zhvilluar në muajin korrik të këtij viti, do të bëhej i pari sportist shqiptar që do të siguronte konkurrimin në finalet e një evenimenti të rëndësishëm siç ishte Europiani. Atleti shkodran do të konkurronte me sukses duke zënë vendin e nëntë në kontinent, paçka se mundësitë dhe aftësitë e tij premtojnë edhe më shumë për të ardhmen. Përveç arritjeve të këtij sportisti, atletika shkodrane gjatë këtij viti do të na dhuronte të tjera rezultate të larta në arenën kombëtare. Kështu, Vllaznia do të shpallej kampione e Shqipërisë dhe po ashtu do të fitonte dhe Kupën e Republikës duke vazhduar dominimin e saj në këtë sport edhe për këtë vit, ashtu siç ka bërë rregullisht gjatë gjithë këtyre viteve.
Sportet e tjera, Basketbolli sërish më i miri
Natyrisht që në qendër të vëmendjes edhe për këtë vit ishte ekipi I basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Ai është shpallur për herë të tretë rradhazi kampion I Shqipërisë duke mundur në finale ekipin e Teutës. Madje, trofeun e kampionit e ka siguruar pikërisht në ndeshjen e katërt në Durrës. Sukses ky që ka gëzuar jo pak sportdashësit shkodranë që në këtë mënyrë me basketbollin kanë fituar jo pak emocione. Titulli I tretë kampion natyrisht që është pritur mirë edhe nga drejtuesit e pushtetit lokal, madje vetë kryebashkiakja Ademi ka pritur ekipin fitues në zyrën e saj duke e përgëzuar për suksesin e arritur. Po ashtu, kampione janë shpallur edhe vajzat e ekipit të të rejave të Vllaznisë. Nga ana tjetër, I suksesshëm ka qenë viti 2016 edhe për sportin e xhudos. Titulli kampion në Shqipëri por edhe sukseset në shumë prej aktiviteteve ndërkombëtare të zhvilluara gjatë këtij viti, tregojnë se xhudistët e Vllaznisë nën drejtimin e Anton Shkozës janë në rrugën e duhur për t’I dhuruar emocione sportdashësve edhe me këtë sport. Nga ana tjetër, për boksin shkodran nuk ka qenë një vit I mirë. Problemet e shumta që u shfaqën në kampionat, vendimet e njëanshme të gjyqtarisë, kanë bërë që Vllaznia të hiqte dorë nga titulli I 21-të kampion dhe po ashtu edhe nga fitimi I Kupës së Shqipërisë. Megjithatë, për boksierët shkodranë nuk kanë munguar sukseset në disa turne ndërkombëtare. Sporti I peshëngritjes ndërkohë nuk ka kaluar momente të mira. Mungesa e palestrës, ka ndikuar në rezultatet e tij. Sakaq çiklizmi shkodran duket në rrugën e duhur të ringjalljes së këtij sporti me traditë. Një grup djemsh të rinj të talentuar kanë marrë përsipër këtë gjë dhe me në krye çiklistin Bruno Kola, po dominojnë në të gjitha garat e zhvilluara për të rinjtë. Në mundje ndërkohë, spikat titulli kampion I Qamil Bajramit që rikonfirmohet si një nga mundësit më të mirë të Shqipërisë edhe për këtë vit. Nëse flasim për sport, nuk ka sesi të mos I kushtojmë vëmendje ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë. Ai gjatë vitit 2016, jo vetëm që ka fituar titullin e tretë kampion rradhazi dhe po ashtu edhe Kupën e Shqipërisë, madje ky ekip po vazhdon sukseset dhe madje, tashmë me rezultatet që po arrin të thyejë rekorde pas rekordesh. Sa i takon volejbollit, objektivat mbeten të njëjta si çdo vit për të fituar trofe, por në fakt, ato mungojnë pavarësisht përpjekjeve të sportistëve dhe trajnerëve. Për t’u veçuar janë sukseset e ekipit të volejbollit të të rejave dhe paratërejave të Vllaznisë që janë shpallur kampione për këtë vit.Sporti shkodran kësisoj ka mbyllur një vit deri diku të suksesshëm megjithatë ajo që pritet për vitin e ardhshëm është më shumë vëmendje dhe sigurisht më shumë suksese.

 

© shkodrasport.com