Në Shqipëri po bëhen shumë vite që e presim një ligj të tillë dhe tashmë pritet që të bëhet realitet ngaqë ai po diskutohet edhe në komisionet parlamentare. Për momentin nuk ka asnjë detaj të zbardhur rreth asaj që pritet të ofrojë ky Ligj i ri për Sportin, por një gjë është e sigurtë: Ai sërish nuk do të ofrojë biznesin pranë sportit sepse nuk do t’i krijojë atij lehtësirat e duhura për këtë gjë. Krejt ndryshe ndodh në Kosovë.

Në ditët e fundit të vitit 2016, Në Kuvendin e këtij vendi është miratuar Ligji i Ri i Sponsorizimeve. Sipas këtij ligji, të gjithë sponsorizuesit në sport do të kenë 30 % zbritje nga tatimi në fitim. Në këtë mënyrë, Kosova vendosi ta ndjekë praktikën e njërës prej shteteve me sportin më të zhvilluar, e pikërisht Gjermanisë. Për punën e bërë po ndihen krenarë të gjithë ata që kontribuuan në këtë ligj: anëtarë të grupeve punuese, zyrtarë qeveritarë, deputetët që e votuan kalimin e tij e mbi të gjitha Komisioni Parlamentar dhe FC Prishtina, e cila ofroi shembullin gjerman e që u pranua nga vendimmarrësit shtetërorë.Gjermania është njëra prej shteteve me sportin më të zhvilluar në botë. Dhe, këtë e ka arritur falë Ligjit për Sponsorizime, i cili i ndihmoi jashtëzakonisht shumë zhvillimit të sportit gjerman. Ndërkohë, metoda gjermane tashmë është përcjellë edhe në sportin kosovar, i cili pas shumë vitesh zvarritjesh e pritjesh, më në fund u bë me Ligj për Sponsorizime, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe shumë shpejt pritet të hyjë në fuqi. Ajo që vlen të përmendet se Ligji për Sponzorizime në Kulturë, Rini dhe Sport është thuajse krejt i ngjashëm me atë gjerman, gjë që jep shpresa dhe mundësi për zhvillim të këtyre sektorëve në Kosovë. Sipas ligjit të sapomiratuar, sponsorizuesve në sport do t’u njihen zbritjet prej 30 % të tatimit në fitim. Këso lehtësirash gëzojnë edhe sponsorizuesit në sportin gjerman. Kurse, sponsorizuesve në sektorët e Kulturës dhe Rinisë do t’u njihen zbritjet prej 20 % të tatimit në fitim. Ky ligj i ka dhënë shpresë të madhe për çuarjen përpara të sportit të Kosovës, i cili edhe ashtu është promovuesi kryesor i saj në arenën ndërkombëtare, edhe pse ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet, të cilat zanafillën e kanë pikërisht te kriza financiare dhe mungesa e madhe e donatorëve, të cilët nuk kishin pse të sponsorizonin në sport pa kurrfarë kompensimi. Po në Shqipëri? Të presim!
© shkodrasport.com