Sa ka shpenzuar sheiku për të ndërtuar Mançester Sitin? Përgjigjen e jep agjencia e statistikave “Cies”, observatori i futbollit: një shi milionash që hyn në historinë e futbollit pasi ka kaluar një kufi, atë të miliardit të eurove, kurrë i arritur më përpara se Mansur.

Dhe kujdes, flitet vetëm për kartonët e lojtarëve të pranishëm në skuadrën aktuale… Skuadra e stërvitur nga Pep Guardiola është më e shtrenjta e Europës. Prapa ndodhet PSG-ja e emirit AlKhelaifi: 913 milionë. Më pas Reali i Madridit me 902 që mbyll “podiumin”.

STUDIMI – Blerjet e Rodrit (70 milionë) dhe Zhoao Kanselos (65 milionë, në operacionin që transferoi Danilon te Juventusi), këtë verë kanë rezultuar thelbësore për kalimin e “murit” të miliardit. Studimi ka marrë në ekzaminim 5 kampionatet kryesore europiane, pra Premier Ligën, La Ligën, Serinë A, Bundesligën dhe Ligën 1. Juventusi, me 719 milionë, është e vetmja italiane mes 10 vendeve të para, ndërsa klubi i dytë italian është Milani me 408 milionë euro. Interi e mbyll “podiumin” e Serisë A me 364 milionë.

DISTANCAT – Një tjetër aspekt interesant i përket, kampionat për kampionat, distancës mes skuadrës më të shtrenjtë dhe asaj më pak të shtrenjtë. Juvja, për shembull, ka shpenzuar 63 herë shifrën e investuar nga Leçe, ndërsa shqetëson statistika në La Ligën spanjolle, ku Reali i Madridit ka kushtuar plot 148 herë Majorkën. Ndërsa Premier Liga konfirmohet si kampionati më i shtrenjtë: Siti vlen “vetëm” 32 herë Noruiçin.