Vllaznia “A” ka zhvilluar një ndeshjee miqësore me Vllaznia “B” paraditen e sotme dhe e ka fituar atë me rezultatin 4-1. Takimi i ka shërbyer trajnerit Laszlo për t’u njohur më mirë me ekipin, megjithatë duhet thënë se hungarezi i sapoardhur, këtë herë ka qëndruar në pankinë në rolin e spektatorit dhe skuadrën e ka drejtuar Borshi.
Takimi është luajtur me 3 pjesë nga 30 minuta secila dhe stafet teknike të dy ekipeve kanë aktivizuar të gjithë lojtarët që kanë patur në dispozicion. Pjesa e parë është mbyllur me fitoren 1-0 të Vllaznia “A”, falë golit të shënuar nga kapiteni Bekim Balaj. Por duheet thënë se ekipi “B” ka luajtur mjaft mirë.
Me një mbrojtje solide me në krye Spahinë, me mesfushën shumë të qartë falë edhe lojës së kapitenit Papaj, kanë krijuar edhe disa raste të pastra shënimi, por që nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë.
Në pjesën e dytë, ekipi i parë ka aktivizuar 11-shen e dytë dhe prej saj sulmuesi Perez ka arritur të shënojë dy gola ndërsa për ekipin “B” ka shënuar në fund Aina duke bërë që në fund të 60 minutave, rezultati ka qenë 3-1.
Në të tretën ka patur vend edhe për një tjetër gol të Perez i cili plotësoi tripletën e tij në këtë ndeshje dhe kësisoj i gjithë takimi u mbyll me shifrat 4-1 në favor të Vllaznia “A”, e cila do ta lërë tashmë pas këtë miqësore dhe nga e hëna do të nisë të mendojë për sfidën e kampionatit ndaj Dinamos.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


