Pas fitores të arritur javën e kaluar ndaj Besëlidhjes, “Vllaznia B” ka marrë frymë disi më lirshëm sepse tashmë nuk është më e fundit në renditje.

Kjo gjë i favorizon jo pak kuqeblutë që tashmë do të kërkojnë të marrin pikë edhe në ndeshjen e rradhës, atë që do të luhet të shtunën në Kavajë ndaj Besës.
Trajneri Ervis Kraja duke folur në lidhje me këtë ndeshje, shprehet: “Padyshim që ne do të shkojmë për ta fituar atë ndeshje.

E kemi të qartë se do ta kemi të vështirë por ne nuk do të heqim dorë nga pretendimet tona”.

Për këtë ndeshje rikthehet pas skualifikimit të javës së kaluar Borshi por ndërkohë do të mungojë përsëri kapiteni Isufi që nesër grumbullohet me kombëtaren U-19 për në turneun e Italisë.
© shkodrasport.com