Te Vllaznia ka nisur puna per ndertimin e skuadres te sezonit te ardhshem dhe gjeja e pare qe kane bere drejtuesit duket se eshte rinovimi me disa prej lojtareve me te rendesishem te sezonit te kaluar dhe rinovimet duket se kane nisur nga porta.

Bojan Zogoviç do të jetë të paktën edhe për sezonin e ri pjesë e Vllaznisë. Një nga emrat e parë, që u përfol se mund të largohet pas përfundimit të kontratës, me sa duket është bindur nga drejtuesit që të vazhdojë të veshë fanellën kuqeblu.

Fituesi i dy Kupave me Vllazninë ka qenë pa dyshim një nga pikat më të forta të skuadrës shkodrane. Nga sa mësohet, drejtuesit kanë gjetur parimisht dakordësinë me portierin edhe për sezonin e ri, 2022-2023.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se pas bisedave të vazhdueshme me drejtuesit e klubit kuqeblu, malazezi është bindur për të qëndruar edhe një tjetër vit në Shkodër.Tani mungon vetëm një konfirmim zyrtar nga palët për zgjatjen e bashkëpunimit.

Kështu, gardiani nga Mali i Zi pritet të jetë sërish mes katërkëndëshit të Vllaznisë në sezonin e ardhshëm. Ai është prej dy vitesh në Shkodër. Nëse vjet e nisi pak keq, me kalimin e ndeshjeve ai fitoi siguri maksimale.

Zogoviç, së bashku me Esin Hakajn dhe Mevlan Adilin, kanë qenë nga të parët futbollistë, që janë takuar menjëherë pas mbylljes së sezonit me presidentin Alban Xhaferi.Kështu, pritet që porta edhe në sezonin e ri të ketë në mbrojtje të njëjtit emra.

Treshja do të jetë e njëjtë me Bojan Zogoviçin si portier i parë dhe dy alternativat e tjera për këtë repart.Bëhet fjalë për gardianët Kristi Qarri dhe Entoni Shkoza.