Historia e klubit Vllaznia ka patur brenda saj jo vetëm futbollistët dhe trajnerët e ekipit të parë, por një kontribut të madh në vite kanë dhënë për këtë klub dhe ngjyrat kuqeblu edhe trajnerët e moshave, zyrtarët dhe njerëzit e tjerë.

Njëri prej tyre është edhe Agim Medja, njeriu që meriton padyshim vlerësim dhe rrespekt. Medja ka lindur në Shkodër dhe që në rini angazhohet shpejt me futbollin dhe më pas ndjek studimet e Insitutit të Fiskulturës “Vojo Kushi” në Tiranë, duke u angazhuar edhe me ekipin e Shkëndijës, teksa ka qenë pjesëtar i brezit të parë, që e krijoi atë në vitin 1967 bashkë me emra të tillë si Vladimir Ajazi, Bajram Hushi, Petrit Gjoni, Fisnik Kosova, Leonidha Curri, Edmond Zalla, Agron Sulaj, Vasillaq Zëri, Bashkim Tufa, por edhe shumë futbollistë të tjerë.

Medja kthehet në Shkodër pas përfundimit të studimeve dhe i bashkohet Vllaznisë, por është i pafat. Ai pëson një dëmtim të rëndë dhe është i detyruar t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur. Megjithatë, karriera e tij më e suksesshme do të niste më pas, ajo e trajnerit.

Agim Medja ka punuar për shumë vite si trajner moshash tek ekipet zinxhir të Vllaznisë, ndërkohë që ka qenë edhe pjesë e stafit të ekipit të Kombëtares U-17, bashkë me Mexhit Haxhiun, me të cilin ka punuar për shumë vite. Ndërkohë në momente të caktuara, në periudha të shkurtra, i është besuar edhe drejtimi i ekipit të parë të Vllaznisë, sa herë që ai ndodhej në ndonjë krizë dhe duhej përvoja e tij për ta nxjerrë prej saj.

Pas lënies së trajningut, profesor Medja ka punuar edhe si sekretar i KF Vllaznia, për vite me rradhë, ku është evidentuar si një zyrtar shumë i rregullt dhe strikt në zbatimin e detyrave. Gjatë periudhës kur nuk ka qenë i angazhuar me Vllazninë, ka vijuar profesionin e tij të mësuesit të Edukimit Fizik në shkollën “Xheladin Fishta”, aty ku edhe doli në pension.

Agim Medja mbetet një figurë shumë e respektuar në Shkodër dhe më gjerë, një trajner me rezultate pozitive dhe një drejtues shumë i zoti.
Maringlen ZHIVANI