Ashtu si ndaj Kukësit një javë më parë edhe në ndeshjen e së dielës kundër Flamurtarit, KF Vllaznia ka vendosur që të aplikojë të njëjtin çmim biletash për tifozët e vet. Natyrisht që duke parë edhe interesimin në rritje të tifozërisë për skuadrën e cila e ka nisur mirë kampionatin, nuk ka patur rritje të çmimet. Përkundrazi është e njëjta procedurë e ndjekur. Kështu, një tribunë në tribunën VIP do të kushtojë 1 mijë lekë të reja ndërsa në dy tribunat e tjera, ato A dhe B, bileta do të kushtojë 500 lekë të vjetra. Ndërkohë, në të gjithë sektorët e tribunës D (asaj përkarshi), bileta do të kushtojë 400 lekë të reja.

Ndërkohë në tribunat C dhe E, çmimet do të variojnë nga 200 në 300 lekë, në varësi të pozicionit. Dikush mund t’i konsiderojë të lartë këto çmime nisur edhe nga niveli ekonomik i shkodranëve megjithatë për drejtuesit e klubit, këto çmime janë shumë të pranueshme. Për të mos thënë se në shumicën e tribunave janë më të lira se biletat në shumë prej stadiumeve të Shqipërisë ndonëse tashmë kushtet në “Loro Boriçi” janë shumë komode për ndjekjen e ndeshjeve. Ajo që pritet tashmë është rritja e numrit të tifozëve në shkallët e stadiumit, kuptohet që duke shpresuar tek mospërsëritja e kaosit që u krijua në ndeshjen e kaluar me Kukësin dhe për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë bërë thirrje për blerje të biletave që ditën e nesërme dhe po ashtu futjen në stadium ditën e ndeshjes, të paktën një orë para fillimit të ndeshjes.
© shkodrasport.com