Një nga lojtarët e rinj më me perspektivë i volejbollit shkodran por edhe atij shqiptar, pikërisht Anton Qafarena, duket se është shumë pranë largimit nga kampionati shqiptar. 18 vjeçari ka spikatur në dy sezonet e fundit duke luajtur me Vllazninë dhe ishte kërkuar nga disa ekipe si të kampionatit tonë por edhe jashtë. Oferta e fundit mësohet të ketë ardhur për të nga një ekip i kategorisë së parë të Qipros. Lajmi konfirmohet nga burime pranë këtij lojtari. Ende s’ka asgjë zyrtare por skuadra qipriote mësohet se është interesuar për Qafarenën dhe se mund të bëhet e mundur lëvizja e tij nga Vllaznia në kampionatin e Qipros. Natyrisht që kuqeblutë nuk do të bëhen pengesë nëse ekipi qipriot vendosë ta marrë Qafarenën. Ky i fundit ka bërë paraqitje pozitive gjatë aktivizimeve me Vllazninë duke rënë në sy me lojën e tij të mirë. Anton Qafarena është kërkuar edhe nga ekipe të tjera shqiptare por nuk ka pranuar duke preferuar dhe tentuar vetëm tregun e huaj. Tashmë është një mundësi e mirë për të dhe vetë lojtari është në pritje se si do të shkojnë gjërat gjatë kësaj merkatoje. Nga sa bëhet e ditur Qafarena nëse largohet do të prishte shumë punë tek Vllaznia për sezonin e ri sepse është një prej shtyllave të ekipit tashmë. Megjithatë trajneri Kroqi edhe në postin e drejtorit të shumësportëshit pritet që të sjellë në skuadër volejbollistë të tjerë. Aktualisht po shikohen mundësitë në tregun vendas tek ekipet shqiptare duke qenë se lojtarët e huaj janë të papërballueshëm ekonomikisht për Vllazninë. Afrimi i ndonjë volejbollisti tjetër do të bënte që të zvëndësohej largimi i Anton Qaferenës nëse bëhet e mundur.

© shkodrasport.com