Vllaznia arriti të zhvillonte një lojë shumë të bukur në ndeshjen debutuese për vitin 2022. Në derbin e Shqipërisë kundër Tiranës kuqeblutë pavarësisht se nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0, zhvilluan një lojë spektakolare. Ku ndoshta vetëm fati jo i mirë dhe ndonjë pakujdesi në sulm ndikuan që Vllaznia të mos merrte pikët e plota në këtë takim.

Gjithsesi nëse kishte një episod “negativ” në këtë takim ishte ai gjest i Da Silvas në momentin e zëvendësimit. Braziliani u duk shumë i nevrikosur me trajnerin Brdariç i cili e zëvendësoi menjëherë në momentin që ai u dëmtua. Por një gjest i tillë mori më shumë bujë seç duhet në media të caktuara, duke larguar vëmendjen nga ndeshja.

Por tek shkodranët nuk kanë kohë të mendojnë për çështje të tilla, që tashmë konsiderohet e mbyllur. Ekipi po bën një lojë mbresëlënëse dhe në këto momente duhet të reflektojë qetësi dhe të tentojë të afrohet sa më shumë me Tiranën kryesuese. Në prag janë dy takime të lehta në letër.

Ku Vllazninë e viziton Egnatia e më pas faza mbyllet me Kastriotin në transfertë. Skuadra duhet ta ketë mendjen vetëm në fushën e lojës dhe çështje që nuk kanë të bëjnë me fushën e gjelbërt nuk duhet as të diskutohen dhe të komentohen më.
Endri ÇINARI