Vllaznia e Elvis Plorit nuk di të fitojë. Pavarësisht se në ndeshjen e fundit e ndau vetëm 30 sekonda nga arritja e fitores së parë, sërish një gjë e tillë nuk ishte e thënë të ndodhte.
Takimi ndaj Teutës ishte ndeshja e katërt radhazi në kampionat, ku Vllaznia nuk ka arritur të fitojë. Gjatë kësaj periudhe, kuqeblutë kanë regjistruar 2 barazime dhe 2 humbje.
Ka humbur pikërisht kundër skuadrave që janë në luftë për mbijetesë, si Egnatia dhe Kastrioti, ndërsa ka barazuar përballë Laçit dhe së fundmi Teutës.
Gjithsesi, ajo që është vënë re, sidomos në përballjen e fundit, vetë skuadra ka probleme të shumta për të ruajtur rezultatin, si dhe për të reaguar kur është në disavantazh.
Në 7 javët e mbetura pritet që ekipi të ndryshojë për të mos çuar dëm sezonin. Mospjesëmarrja në Kupat e Europës do të ishte një dështim për klubin, ashtu siç e ka deklaruar vetë presidenti Alban Xhaferi./panorama-sport/