Ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë kohët e fundit po mbushen me fëmijët e emigrantëve të cilët merren tashmë me futboll në vendet ku kanë lindur dhe e kanë për kënaqësi të veshin fanellën kuqezi për karrierën e tyre, ndonëse kanë edhe opsione të tjera.

Njëri prej tyre është edhe Kevin Shkurti, djaloshi me origjinë nga Samrishi i Njësisë Administrative Dajç në Shkodër. Vetë ai ka lindur në Belgjikë më 19 korrik 2004, ka luajtur edhe me kombëtaren U18 të këtij vendi deri në nëntorin e vitit të kaluar, por tashmë ka zgjedhur Shqipërinë.

Si rrjedhojë, në ndeshjet miqësore të muajit mars ndaj Kosovës, ai ka qenë pjesë e kuqezinjve të drejtuar nga trajneri Armando Cungu. Luan në rolin e mesfushorit të qendrës dhe konsiderohet një lojtar me të ardhme. Në Belgjikë është pjesë e Akademisë OH Leuven.

Vetë Kevin në një prononcim të shkurtër të dhënë, shprehet: “Kam përfaqësuar më parë Belgjikën, por më duhet ta pranoj se të përfaqësoj Shqipërinë është një emocion shumë i madh sepse është vendi i familjes time. Do mundohem të bëj më të mirën për të përfaqësuar me dinjitet fanellën kuqezi”.

Shkurti ende nuk i ka mbushur 18 vjeç megjithatë karriera e tij duket se do të ketë të ardhme. Vlerësimet për të janë shumë pozitive dhe si rrjedhojë, na mbetet të presim se çfarë do na dhurojë ky futbollist në të ardhmen. Shkodra dhe shkodranët sigurisht që do jenë krenarë për birin e tyre, i cili la Belgjikën për të përfaqësuar vendin e të parëve të tij.
Gjergj KOLA