Fitorja javën e kaluar në “Qazim Dervishi” ndaj Kamzës ka qenë jetike për ekipin e Vllaznisë në basketboll për meshkuj, por ajo nuk mjafton. Gjendja e kuqebluve vazhdon të mos jetë e mirë në renditje teksa ata renditen përsëri të fundit.

Për këtë arsye, djemtë e drejtuar nga trajneri Plantak do të tentojnë të fitojnë edhe ndeshjen e rradhës, atë që do të luajnë pasditen e së shtunës në kryeqytet ndaj Tiranës. Por ndërkohë ditët e fundit tek skuadra ka dalë në skenë një problem.

Njëri nga lojtarët e huaj që janë pjesë e saj, pikërisht amerikani Leo Svete, nuk është paraqitur në stërvitje. Nga sa bëhet e ditur, pretendimet e tij janë për t’u larguar nga skuadra dhe skuadra e tij e ardhshme mund të jetë në Marok, por drejtuesit e ekipit nuk kanë ndër mend t’i japin lejen e largimit.

Se çfarë do të ndodhë me këtë lojtar, mbetet për t’u parë por kuptohet që ky nuk ishte një lajm i mirë në prag të ndeshjes me Tiranën. Pavarësisht nëse kthehet ajo jo Svete, objektivi i Vllaznisë për të shtunën do të jetë fitorja ndaj bardhebluve.
© shkodrasport.com