Vllaznia po feston këto ditë 100 vjetorin e krijimit të saj dhe padyshim që secili prej sporteve krenohet me atë çfarë i ka dhënë këtij emri në vite. Por futbolli i sotëm kuptohet që ka zhgënjyer të gjithë dhe kjo nuk i bën të ndihen mirë ata që kanë kontribuar për vite me rradhë për ngjyrat kuqeblu.

Në të njëjtën gjendje është edhe Ferid Borshi, një nga futbollistët e shquar të Vllaznisë së viteve ’70- ’80 i cili nga ana tjetër bën thirrje që skuadra jo vetëm që duhet rikthyer sa më parë në Superligë, por ajo duhet të rikthehet sa më shpejt edhe në nivele të larta.

“Siç dihet futbolli shqiptar ka lindur në Shkodër dhe kuptohet që tashmë kur po festojmë edhe 100 vjetorin e Vllaznisë, mendoj se është një festë e madhe për gjithë këtë qytet, i cili i ka dhënë shumë futbollit shqiptar. I ka dhënë emra të shumtë të nderuar të cilët kanë nderuar veten por edhe Shkodrën.

Megjithatë në këto ditë feste, nuk ndihem i lumtur për vetë pozitat ku ndodhet Vllaznia sot.Por uroj që në të ardhmen ky ekip jo vetëm ta nxjerrë veten nga kjo kategori ku ndodhet dhe jo vetëm kaq, por ta çojnë aty ku e ka vendin, si në arenën kombëtare ashtu edhe atë ndërkombëtare”- është shprehur ai.

Fjalët e Borshit por edhe të veteranëve të tjerë që kanë kontribuar në vite për ngjyrat kuqeblu padyshim që duhen dëgjuar nga futbollistët aktualë të Vllaznisë të cilët duhet të bëjnë më shumë për të përfaqësuar më denjësisht këtë emër shekullor.
© shkodrasport.com