Vllaznia e futbollit po vijon përgatitjet për ndeshjen e rradhës për kampionat, atë që do të luajë të shtunën në ora 16.45 në “Air Albania” ndaj Partizanit. Atmosfera në skuadër duket shumë e mirë dhe këtu padyshim që ka ndikuar edhe fitorja e fundit ndaj Teutës.

Stafi teknik dhe lojtarët janë të bindur se vendi i katërt që ato kanë aktualisht në renditje, nuk u shkon për shtat dhe për këtë arsye, do synojnë fitoren për t’u ngjitur më lart. Për këtë ndeshje, trajneri Brdariç nuk do të ketë të gatshëm sërish sulmuesin Ardit Hoxhaj që vazhdon të jetë në fazë rikuperimi nga dëmtimi që ka patur.

Përveç tij, i pamundur do të jetë edhe sulmuesi tjetër Çoba që ka pësuar një tërheqje muskulare. Pavarësisht këtyre mungesave, në kampin kuqeblu nuk janë të shqetësuar. Skuadra ka një kontigjent të mjaftueshëm lojtarësh për të përballuar me sukses çdo kundërshtar.

Ndërkohë, ekipi do të ketë edhe një seancë të fundit paraditen e së premtes, teksa do përvijohet edhe mënyra e luajturit dhe formacioni që do të zbresë në fushë nga minuta e parë kundër Partizanit. Objektivi për këtë sfidë kuptohet që është vetëm fitorja, sepse vetëm ajo bën punë për arritjen e synimeve që Vllaznia ka këtë sezon në kampionat.

Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë sepse edhe kundërshtari synon fitoren, por shkodranët ndaj skuadrave të forta kanë treguar se jo vetëm luajnë bukur futboll, por edhe marrin rezultatet e duhura. Shpresat janë që të ndodhë kështu edhe të shtunën, kuptohet duke patur edhe mbështetjen e tifozëve kuqeblu që pritet të jenë të shumtë në stadium./SHKODRA-SPORT.COM/