Ditën e sotme, Vllaznia në volejboll për femra, do të luajë ndeshjen e javës së tretë të kampionatit ndaj Tiranës. Kjo sfidë është programuar të luhet pasditen e sotme në pallatin e sportit “Farie Hoti” të kryeqytetit.

Realisht, në dy ndeshjet e javëve të para, nuk erdhën rezultatet e duhura për Vllazninë. Shkodranet pësuan një humbje në javën e parë me Partizanin dhe përsëri një humbje tjetër në javën e dytë me Skënderbeun.

Në fakt, edhe pse me dy humbje rradhazi, në kampin shkodran vazhdojnë të jenë optimistë, duke rikonfirmuar objektivat e fillimit të kampionatit për fitimin e dy trofeve, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Ndërkohë, nga ana tjetër, pas dy humbjeve rradhazi, edhe vetë tifozëria shkodrane pret fitoren e parë të ekipit kuqeblu ndaj Tiranës ditën e sotme.

Këtë sezon, me disa afrime, Vllaznia duket sikur i është shtuar rivalitetit të titullit në kampionatin e volejbollit të femrave. Investimet e presidentit Florian Zekja, duke sjellë në skuadër në skuadër tre volejbolliste të huaja, një ruse dhe dy bjelloruse, por edhe trajnerin Besnik Lisha, e kanë tjetërsuar tërësisht skuadrën kuqeblu.

Me këtë riorganizim mendohet se, Vllaznia e këtij sezoni është ndër pretendentet kryesore për fitimin e dy trofeve, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Të paktën, këto janë pretendimet që kanë konfirmuar presidenti Zekja dhe trajneri Lisha në deklaratat e tyre. Megjithatë, verdiktin përfundimtar do ta tregojë fusha e lojës.
Maringlen ZHIVANI