Në basketboll, Vllaznia mundi Eagles në shifra të thella 108- 53, por kjo fitore mbeti sa për statistikë, pasi kuqeblutë janë të eliminuar nga Kupa, për shkak se nuk arritën të kalojnë dot grupin, teksa më tej kaluan Teuta dhe Kamza.

Shkodranët ishin superiorë në të katërta periodat ndaj “shqiponjave” të Klarent Dedajt. Me 24 pikë të realizuara, amerikani Stanlej ishte lojtari më rezultativ për Vllazninë, ndërsa te kryeqytetasit shkëlqeu dyshja Gozhdari-Pylla, me nga 17 pikë secili.

Nëpërmjet faqes së klubit në “Facebook”, klubi I Vllaznisë ka bërë një postim pas eliminimit, duke thënë se situate e krijuar me sallat e mbyllura ku po bëhet numërimi i votave, ka ndikuar negativisht te ekipi, pasi nuk mund të zhvilloheshin stërvitjet për lojërat me dorë.

POSTIMI I KLUBIT:

Pamundësia e zhvillimit të procesit stërvitorë në palestrat e lojërave me dorë për arsye të cilat nuk varen nga Klubi i Basketbollit Vllaznia kanë influencuar negativisht në performancën e ekipit duke u eleminuar në mënyrë të parakohshme nga vazhdimi i garës në Kupën e Republikës.

Kërkojmë mirkuptimin dhe besimin e të gjithë tifozave të zjarrtë kuqeblu që me përfundimin e procesit zgjedhorë dhe lehtësimin e masave kundër COVID-19 ekipi do të konkurojë denjësisht në kampionatin kombëtar i cili pritet të filloj me datën 5 Maj 2021 në ndeshjen kundër Tiranës Forza Vllaznia!