Ditët kalojnë dhe tek Vllaznia për momentin ende nuk po dëgjohet asnjë lajm konkret. Me përjashtim të disa thashethemeve të zakonshme të merkatos që kanë filluar të publikohen nëpër media e rrjete sociale, gjë tjetër nuk ka. Edhe ato çfarë shkruhen e thuhen për rikthimet e Xhevahir Sukajt dhe Erjon Vucajt, mesa duket janë thjesht dëshira apo fjalë të shpërndara nxitimthi nga persona të interesuar për to dhe asgjë më shumë.

Drejtuesit e klubit shkodran në të vetmin reagim që patën bërë dy javë më parë, deklaruan se skuadra do të ribëhet nga e para ngaqë shumica e lojtarëve të cilëve u ka mbaruar kontrata, nuk do të rinovojnë më me to. Në këtë aspekt, një pjesë e mirë e këtyre të fundit ende janë të paqartë nëse do të jenë pjesë e Vllaznisë apo jo, megjithë dëshirën e tyre për të qëndruar, duke filluar nga kapiteni Lika e me rradhë.

Megjithatë për momentin ende nuk ka asnjë bisedë me to dhe në këto rrethana, askush nuk mundet të thotë se çfarë po ndodh. Ditët kalojnë dhe ekipet e tjera të Superligës kanë nisur merkaton duke synuar përforcime. Vllaznia duhet të jetë e plotë në fillim të muajit korrik për të nisur përgatitjet për sezonin e rid he për të mbërritur deri aty, pikësëpari duhet rikonfimuar edhe trajneri Agim Canaj.

Ai është në pritje për këtë gjë por deri tani askush nuk I ka thënë as “po” dhe as “jo”. Tifozët nga ana tjetër presin me ankth zhvillimet e reja çdo ditë sepse nuk duan që Vllaznia e tyre të vuajë sërish edhe në sezonin e ri dhe në fund pastaj të bjerë sërish nga kategoria. Nëse gjërat nuk merren shumë seriozisht dhe për më tepër, sa më shpejt, kjo edhe mund të ndodhë.
© shkodrasport.com