“Moda” e marrjes së trajnerëve të huaj ka përfshirë jo vetëm ekipin kombëtar të futbollit, por tashmë edhe atë të volejbollit të femrave.

Para pak ditësh, Federata Shqiptare e Volejbollit ka prezantuar italianin Luca Secchi si trajnerin e ri të kësaj kombëtareje, me të cilin pretendon të rrisë cilësinë e këtij ekipi.

Kjo mund të konsiderohet diçka pozitive në pamje të parë, por interesant është fakti se kjo Federatë ka “harruar” tërësisht kombëtaren e meshkujve.

Madje sivjet, ndryshe nga çdo vit tjetër, nuk do ta grumbullojë fare këtë kombëtare gjatë kësaj periudhe! Diçka absurde në fakt, edhe për më tepër kur mëson justifikimin e Federatës se nuk kanë lekë për ta bërë një gjë të tillë!!!

Këtej nuk kanë lekë për grumbullimin e kombëtares së meshkujve dhe nga ana tjetër, marrin trajner të huaj për atë të femrave.

Në fakt, ekipet kombëtare duket se më shumë se për trajnerë të huaj, kanë nevojë për tjetër gjë. Ato edhe nën drejtimin e trajnerëve shqiptarë, kanë bërë paraqitje shumë të mira kohët e fundit.Një nga problemet e mëdha të Federatës së Volejbollit është neglizhenca e drejtuesve të saj për të menduar rritjen e cilësisë kampionatit.

Rasti më i fundit janë finalet e kampionatit të fundit ku ekipet finaliste i luajtën ndeshjet më të rëndësishme të sezonit në ambjente të zakonshme, ndërsa finalet e Ligës Amatore, Federata i zhvilloi në parkun olimpik “Feti Borova” dhe mundësisht edhe me tapet terafleks!

Ky është një tjetër absurditet i kësaj Federate që bën pak dhe aspak për rritjen e cilësisë së kampionatit ndërkohë që pretendon të rrisë cilësinë me trajnerë të huaj.

Mosgrumbullimi fare i ekipit kombëtar të meshkujve vjen në një periudhë kur ndoshta ky ekip ka përbërjen e tij më të mirë të gjithë këtyre viteve të fundit, me lojtarë si Husaj, Qafarena, Koçi etj, volejbollistë këto që po luajnë me shumë sukses në kampionatet më të forta të Europës.
© shkodrasport.com