Skuadra kampione e Shqipërisë në futboll për femra, Vllaznia e Shkodrës, vazhdon të dominojë në këtë lloj futbolli si në fushën e lojës por edhe në mënyrë si punohet.

Ajo prej vitesh është drejtuar në pankinë nga emra të njohur të trajnimit ndërkohë që prej pak ditësh ka patur edhe një shtesë në organikë.

Pjesë e Vllaznisë tashmë është edhe Arben Parmeza. Një emër i njohur i sportit të atletikës por edhe i futbollit të femrave sepse prej disa vitesh ka drejtuar ekipet e The Door dhe AAS.

Me këtë të fundit ka punuar deri para pak ditësh ndërkohë që tashmë rrugët me të janë ndarë.

Dhe normalisht që një profesionist i tillë nuk mund të qëndronte shumë kohë pa ekip.

Menjëherë është ofruar tek Vllaznia ku do të kryejë rolin e ndihmësit të trajnerit Nikolin Leka por do të fokusohet më tepër në përgatitjen fizike të ekipit të parë por edhe në punën me ekipet e moshave.

Vetë Parmeza është shprehur i lumtur që do të punojë me këtë ekip dhe për “Shkodra Sport” do të shprehej:

“Padyshim që në aspektin profesional është kënaqësi që të jem tashmë pjesë e ekipit më të mirë të Shqipërisë.

Një ekip i organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe që ka në përbërje elemente shumë cilësore. Do mundohem të bëj më të mirën për të”.
© shkodrasport.com