Vllaznia arriti të fitonte 3-2 “in extremis” kundër Tiranës, ndeshje e vlefshme për javën e tretë të Superiores. Në këtë sfidë bardheblutë vinin me trajnerin e ri Nevil Deden dhe kjo vështirësonte disi punën e stafit teknik të shkodranëve.

Duke qenë se në krye të pankinës ishte një teknik tjetër dhe jo Egbo, te Vllaznia nuk e dinin se si do të luanin kampionët. Megjithatë dinakëria e trajnerit Brdariç me drejtorin Matko Djarmati nuk zhgënjeu kuqeblutë.

Analiza para ndeshjes ishte e vështirë për “timonierin” e shkodranëve. Të ndodhur në këto kushte, ata kanë gjetur një mënyrë brilante.

Përmes programit “Wyscout” (Website që përmban detajisht të dhënat e gjithë futbollistëve, golat dhe ndeshjet), ata kanë studiuar Shqipërinë U-19, pikërisht ekipin që drejtonte Dede para se të emërohej në krye të Tiranës.

Pikë kyçe ka qenë Ernest Muçi. Duke qenë se ky i fundit ka qenë edhe pjesë e 19-vjeçarëve në disa ndeshje, Brdariç së bashku me Djarmatin kanë studiuar talentin e sulmit bardheblu, duke e parë si rrezikun kryesor të 25-herë kampionëve të vendit.

Pra, kanë qenë ndeshjet e Shqipërisë U-19, për të konkluduar se si do të mund të luante Dede në Shkodër. Në fund, rezultati i dha të drejtë punës së tyre./newsport/