
Vllaznia e ka nisur me fitore edhe edicionin e sivjetëm të Kupës së Shqipërisë. Ndonëse sfida e sotme në trasnfertë me Mamurrasin konsiderohej e vështirë nisur nga merkatoja e zhvilluar nga kjo skuadër, kuqeblutë nuk janë frikësuar aspak dhe kanë vazhduar serinë e fitoreve të tyre. Këtë herë duke mundur Mamurrasin me rezultatin 2-0. Trajneri Raineri në këtë takim u ka dhënë mundësinë disa prej futbollistëve që nuk kanë gjetur shumë hapësira më parë, që të luanin dhe të tregonin veten dhe njëri prej tyre, sulmuesi Italian Çofi ka qenë ai që ka zhbllokuar rezultatin që në minutën e 3-të të takimit.
Kur u duk se ndeshja do mbyllej vetëm me këtë gol, mesfushori I Mamurrasit Tushe ka shënuar një autogol duke I dhënë kësisoj Vllaznisë fitoren me rezultatin e pastër 2-0. Me këtë rezultat, shkodranët duken të sigurtë për kalimin në turin tjetër duke mos e pasë shumë mendjen tek ndeshja e kthimit që do luajnë pas dy javësh në Shkodër me këtë kundërshtar. Sa I takon ndeshjeve të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, Ada ka barazuar 1-1 me Kastriotin. Kjo ndeshje duhej të ishte luajtur në Velipojë por për disa rrethana, ekipi nuk është lënë të luajë aty dhe për rrjedhojë drejtuesit e klubit kanë vendosur që të dy takimet me Kastriotin t’I luajnë në Krujë. Në ndeshjen tjetër, atë mes Veleçikut dhe Besës së Kavajës, të luajtur në Koplik, është fiksuar një tjetër rezultat I barabartë, këtë herë në shifrat 0-0. Skuadra tjetër e Qarkut Shkodër, Tërbuni I Pukës ka luajtur në transfertë me Tomorin dhe ka arritur të fitojë 2-1 brenda në Berat. Sakaq Besëlidhja e Lezhës është mundur në fushën e saj 2-0 nga Teuta. Në këtë mënyrë, ndeshjet e para të Kupës së Shqipërisë për këtë sezon nuk kanë dhuruar ndonjë suprizë dhe gjërat përgjithësisht kanë shkuar sipas parashikimeve.
www.shkodrasport.com


