Kombëtarja shqiptare e basketbollit do të nisë të dielën grumbullimin e saj për ndeshjet eliminatoret e Kampionatit Botëror. Ndonëse ende nuk është bërë zyrtare lista përfundimtare e sportistëve të grumbulluar, mësohet se pjesë e saj do të jenë edhe dy basketbollistë të Vllaznisë. Bëhet fjalë për kapitenin Ervin Berdica dhe 19 vjeçarin Daniel Lekndreaj.

Por përveç tyre pjesë e këtij grumbullimi të kombëtares së basketbollit janë edhe disa shkodranë që luajnë me ekipe të tjera. Njëri prej tyre është Herion Faslija që sezonin e fundit ka qenë pjesë e Teutës së Durrësit. Po ashtu, të grumbulluar janë edhe shkodranët që luajnë në Itali, Franko Bushati, Celis Taflaj dhe Klaudio Patani. Në këtë mënyrë, nga 19 basketbollistët e grumbulluar, 5 janë shkodranë dhe kjo tregon edhe njëherë tjetër se ky qytet vazhdon ta thotë fjalën e tij edhe në këtë sport. Shqipëria e basketbollit do të luajë në këto eliminatore në të njëjtin grup me Hollandën dhe Austrinë, në përpjekjet e saj për të zënë vendin e parë dhe kualifikimin për në turin e dytë.  Këto ndeshje do të luhen në fillim të gushtit dhe do të jenë me sistem vajtje- ardhje. Për t’u përgatitur siç duhet, kombëtarja jonë do të qëndrojë e grumbulluar gjatë gjithë muajit korrik në mënyrë që të bëhet gati ashtu si duhet për këto ndeshje zyrtare. Natyrisht që basketbollistët shkodranë që janë pjesë e saj, shpresojmë që të bëjnë më të mirën me paraqitjet e tyre për të treguar vlerat e vërteta që kanë. Mbase, pjesë e kombëtares mund të kishte qenë edhe ndonjë lojtar tjetër I Vllaznisë megjithatë zgjedhjet e trajnerit tashmë janë bërë. Niveli I basketbollit shqiptar po vjen në rritje nga viti në vit dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare e Basketbollit po mundohen që të ndërtojnë një ekip të fortë në mënyrë që të provojnë të njëjtin sukses siç bëri edhe futbolli me pjesmarrjen e tij në Europian.