Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes ka hyrë në fazën më intensive të përgatitjeve për pjesmarrjen në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Kazakistan. Kjo fazë e përgatitjeve po zhvillohet në Greqi, falë marëdhënieve të mira që ekzistojnë në mes Federatave të të dy vendeve. Kombëtarja kuqezi e shtangës është nisur këtë të dielë nga Tirana në drejtim të Athinës dhe në mes emrave të grumbulluar natyrisht që janë sportistët më të mirë të vendit aktualisht si Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Sopot Sula e Endri Haxhihyseni.

Interesant është fakti se në Greqi me kombëtaren tonë, nga ekipi i Vllaznisë përveç kampionit të Europës Erkand Qerimaj, është grumbulluar edhe 17 vjeçari Emanuel Lushi. Ky i fundit po kalon një formë shumë të mirë sportive dhe pas medaljes së bronztë të fituar në Kampionatin Europian të kësaj grupmoshe, pak ditë më parë u shpall edhe kampion i Shqipërisë me të rriturit në peshën 62 kilogramë. Kuptohet që prej tij nuk ka pretendime të mëdha, nisur edhe nga mosha dhe mungesa e eksperiencës, por vetë ky grumbullim është shumë domethënës. Ndërkohë, numri 1 i Europës Erkand Qerimaj, natyrisht që do të tentojë të futet në zonën e medaljeve në peshën e tij. Ai ka kohë që ka nisur stërvitjen dhe tashmë pritet kurorëzimi me një tjetër triumf, këtë herë në Botëror. Kampionati do të zhvillohet në datat 4-16 nëntor në Kazakistan dhe sipas drejtuesve të lartë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, pritet që Shqipëria të përfaqësohet me 8 sportistë, në mënyrë që të kualifikojnë sa më shumë shtangistë për Lojërat Olimpike “Rio 2016” ngaqë Botërori është garë kualifikuese për këto Lojëra.

 

Gjergj Kola