Volejbollistët e Vllaznisë janë shpallur fitues të “Kupës së Flamurit”, aktivitet që u zhvillua për dy ditë me rradhë në Kërçovë të Maqedonisë. Në ndeshjen finale të luajtur pasditen e djeshme ndaj ekipit vendas të Shutovës, shkodranët kanë fituar me rezultatin 3-2 në një takim me shumë emocione. Duhet thënë se përballë tyre ishte ekipi kampion i Maqedonisë në rradhët e të cilit kishte lojtarë shumë të mirë megjithatë, djemtë e drejtuar nga trajneri Mark Kroqi kanë arritur të jenë të suksesshëm dhe të triumfojnë duke fituar edhe kupën e vënë nga organizatorët.
Në këtë turne, përveç këtyre dy ekipeve, kanë marrë pjesë edhe dy ekipe kosovare, Luboteni i Ferizajt dhe Drenica e Skënderajt. Vllaznia në gjysmëfinale arriti të fitonte me rezultatin 3-0 ndaj Lubotenit duke kaluar kështu në finale ku sërish triumfoi ndaj Shutovës. Natyrisht që fitimi i një trofeu të tillë në një aktivitet shumë domethënës të organizuar nga shqiptarët e Maqedonisë me rastin e Festës së Pavarësisë, merr edhe më shumë vlera. Nga ana tjetër, ky trofe i fituar nga Vllaznia do të jetë një plus më tepër për ecurinë e mëtejshme të tij në volejbollin shqiptar. Siç dihet, ky ekip pretendon fitoren e titullit kampion këtë sezon dhe ndonëse nuk i ka bërë një nisje të mirë kampionatit, sërish ka objektivat e veta. Po ashtu edhe në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë që do të zhvillohen në muajin dhjetor dhe ku volejbollistët shkodranë kanë ndër mend të kërkojnë fitimin dhe të këtij trofeu. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë megjithatë trajneri Kroqi dhe volejbollistët e tij kanë besim se mund t’ia dalin dhe për këtë arsye, do të tentojnë deri në fund.
© shkodrasport.com