E ka thënë trajneri Vata pas ndeshjes së parë të turit çerekfinal të kupës me Laçin , por e pranojnë edhe drejtuesit e tjerë të Vllaznisë. Skuadra shkodrane realisht nuk konsiderohet pretendente për ta fituar këtë trofe megjithatë ajo nuk do të heqë dorë nga fitimi I saj kollaj. Megjithatë, në përgjithësi skuadra është e qetë. Ajo është stërvitur gjatë kësaj periudhe e qetë, pa asnjë lloj presioni, e këtu ka ndikuar ndoshta edhe heshtja e shtypit që drejtuesit e klubit vendosën pikërisht për këtë arsye. Sfida me Skënderbeun do tregojë në njëfarë mënyre edhe forcën e Vllaznisë. Kryetari I Bordit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Vllaznia, Ritvan Troshani që është njëkohësisht edhe nënkryetari I Bashkisë Shkodër, duke folur në lidhje me këtë çështje, ka thënë: “Për ne është një ndeshje e rëndësishme dhe prandaj skuadra duhet ta tregojë veten e saj. Skënderbeu vërtetë është skuadra kampione por edhe ne jemi Vllaznia dhe duhet të shfaqim vlerat tonë më të mira. Kam shumë shpresë se tashmë lojtarët e ardhur në merkaton e janarit, do të jenë ingranuar plotësisht me skuadrën dhe do të japin më të mirën për skuadrën në këtë ndeshje. Unë besoj tek fitorja sepse do të kemi edhe përkrahjen e tifozëve të zjarrtë shkodranë”. Mbështetja që skuadra ka patur nga drejtuesit e klubit ka qenë maksimale gjatë kësaj periudhe. Edhe stafi drejtues ka patur mbështetjen e duhur. Ajo çfarë pritet tashmë është kthesa me rezultate. Ka një koinçidencë të bukur për ndeshjen e sotme me Skënderbeun. Nëse në ndeshjen e kampionatit ndaj korçarëve, ndodhi ajo historia me Sukajn që prishi klimën në skuadër, solli humbjen e atij takimi dhe më pas edhe një ecuri jo të mirë në rezultatet e ardhshme, tashmë ndaj po këtij kundërshtari pritet kthesa për mirë. Mbase që sot do nisë një ecuri krejt tjetër për kuqeblutë dhe shpresat janë të mëdha. E rëndësishme është që fitorja sot nuk konsiderohet jetike. Mosqënia nën presion e futbollistëve mund të ndikojë për mirë tek ata. Çka do të thotë se për ndeshjen e sotme askush nuk u ka vënë kusht për të fituar medoemos. Kupa edhe konsiderohet e rëndësishme por edhe jo. Kjo ngaqë drejtuesit e klubit nuk I kanë kusht trajnerit dhe skuadrës për të qenë medoemos në Kupat e Europës. Do ishte mirë natyrisht nëse do merrej ky trofe sepse do gëzonte një qytet të tërë por nga ana tjetër, kuqeblutë po shohin më tepër për të ardhmen. Në kushte të tilla, gjithsesi pritet një lloj reagimi për mirë I futbollistëve të Vllaznisë. Shumë prej tyre nuk e kanë justifikuar ende besimin e trajnerit dhe drejtuesve të klubit. Prandaj pritet reagimi I tyre dhe nëse ky reagim do jetë ai I pritshmi sigurisht që shkodranët duhet të jenë entuziasë për fitore. Një trepikësh në këtë takim do t’u jepte atyre shumë shpresa për kalimin në gjysmëfinale ngaqë ndeshjen vendimtare pastaj me Flamurtarin do ta kenë sërish në Shkodër dhe shpresat janë më të mëdha për kualifikim. Në këtë mënyrë, me këtë atmosferë pritet suksesi I kuqebluve, gjithnjë nëse ata do të japin më të mirën e tyre në këtë ndeshje.
Gjergj KOLA