Tashmë nuk ka më dilema: Vllaznia ka caktuar datën 11 shtator për të luajtur ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Kampioneve kundër danezeve të Fortunës. UEFA kishte vendosur si afat të fundit ditën e sotme për caktimin e kësaj date dhe për rrjedhojë stafi i kuqebluve ka përzgjedhur të mërkurën e dytë të shtatorit për zhvillimin e këtij takimi.

Njëkohësisht është vendosur edhe për orarin teksa ndeshja do të nisë në orën 18.00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Stafi i këtij ekipi po merr të gjitha masat që gjërat të shkojnë mirë në organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes. Fakti që do të luhet në stadium dhe madje edhe nën dritat e projektorëve, ia shton interesin tifozëve shkodranë për ta ndjekur këtë takim.

Nga ana tjetër, presidenti Lazer Matija bashkë me stafin teknik po punojnë edhe për të bërë ndonjë tjetër përforcim në merkato. Po shikohen të gjitha opsionet e mundshme për të marrë ndonjë lojtare cilësore megjithëse kjo duket e vështirë.

Padyshim që niveli i kundërshtarit është i lartë sepse kemi të bëjmë me një ekip nga Danimarkë, një vend që futbollin e femrave e ka shumë të zhvilluar, megjithatë Vllaznia do të tentojë gjithçka për të marrë një rezultat sa më të mirë në takimin e parë në mënyrë që të udhëtojë pas dy javësh për në transfertë me shpresa për kualifikim.
www.shkodrasport.com